Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e kryesisë, u shpreh se, Kuvendi Kombëtar do të sanksionojë bazat e transforimit të vërtetë të partisë.
Berisha tha se, Partia Demokratike do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.
Berisha: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt ju dhe të gjithë shqiptarëve dhe njëherë u uroj gëzuar Bajramin, ditën e sakrificës, ditën që frymëzon çdo njeri për sakrificë në emër të të mirës, të arritjes.
Por unë në këtë mbledhje të rëndësishme, e cila do miratojë ndryshimet statutore, e cila do miratojë listat, propozimet për Këshillin Kombëtar, do miratojë grupin që do drejtojë Kuvendin, pra është një mbledhje me vendime shumë të rëndësishme.
Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në PD dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të PD.
Transformim i cili parakupton apo nënkupton ripërtëritjen e forcës tonë politike.
Nënkupton organizim, organizim, organizim për këtë forcë.
Nënkupton modernizimin e saj.
Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, nënkupton përpunimin e vizionit të kësaj partie në këto shtylla.
PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.
Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë.
Në këtë udhëtim, ne mbështetje më kryesore kemi lirinë, demokracinë e kësaj partie, konsultën me anëtarësinë, ripërtëritjen e saj të fuqishme me anëtarësime të reja, ripërtëritjen e saj në të gjitha nivelet.
Gazeta RD