Nga Belind KELLIÇI
Pedro Sanchez ka disa të përbashkëta me Edi Ramën. Janë në forumet socialiste të Europës, kanë shpesh kontakte, madje tregojnë edhe solidaritet në kohë të vështira. Të dy i kanë familjarët nën akuzë, si të përfshirë në afera dhe abuzime.
Ndryshimi është se në Spanjë, denoncimet e organizatave, të medias apo opozitës për familjarët e Kryeministrit, drejtësia atje i ka marrë seriozisht dhe i ka kthyer në akuzë konkrete.
Vëllai dhe bashkëshortja e Sanchez janë të pandehur, dyshohen se kanë abuzuar me pushtetin që u buron nga lidhja me kreun e qeverisë. 2 vite më parë, Sanchez po bëhej gati të jepte dorëheqjen.
Edi Rama ato ditë bëri një reagim publik duke i thënë të mos tërhiqej, të mos stepej nga shpifjet. Pra sulmoi shoqërinë dhe drejtësinë spanjolle se po i binin në qafë shefit të qeverisë atje. Hetimet aktualisht janë thelluar dhe miku i Ramës është në ditë kritike!
Denoncimet, dyshimet dhe akuzat që janë këtu për familjarët e Edi Ramës, nga Xibraka te call-centerat e tenderat e AKSH-it, janë monstruoze në krahasim me ato të Spanjës, ku bëhet fjalë për shumë më pak abuzim.
Por këtu, drejtësia edhe pse i ka rrethuar fushat ku veprojnë familjarët e Kryeministrit, ka ngritur akuza dhe ka marrë masa ndaj disa personave, nuk arrin deri tek rrethi më i ngushtë i Kryeministrit.
Sepse Edi Rama, ndryshe nga Sanchez, kur nuk e dikton ose kontrollon drejtësinë, e shantazhon atë dhe përdor çdo instrument për ta penguar.
Vijmë kështu tek diferenca më e madhe mes dy miqve.
Drejtësia në Spanjë nuk ka asnjë problem të shkojë tek familja e kryeministrit, ndërsa këtu nuk guxon ta çojë nëpër mend, edhe pse aferat e përfshirja e tyre janë shumë më të rënda.
Ndryshe nga çfarë po ndodh në Spanjë, këtu drejtësinë duhet ta bëjnë qytetarët pasi regjimi ka imunitet dhe gëzon paprekshmëri.
Gazeta RD