Isa Myzyraj, ReportTV: Zoti Berisha, prej zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar, ju keni përmendur kanabisin që është mbjellë. Tani, duke qenë se kanë kaluar më shumë se një vit, hashashi ku është?
Sali Berisha: Hashashi? Shko te kullat. Shih kullat, aty e ke. Hashashin e kokainën e ke në kulla o burrë i dheut. I ke, aksionerë janë. Njerëzit rëndom thonë që kjo është kulla e Edi Ramës, këto janë katet e Edi Ramës, këto janë katet e Olsi Ramës. Unë s’jam as kadastra ashtu, po ku e gjejnë ata kullat, si po rriten kullat? Më thuaj ti mua, pse po shpërndahen qytete të tjera? Këto janë.
Mariglen Kume, MCNTV: Zoti Berisha, partitë politike janë përfituese të fondeve publike. A jeni ju dakord që partitë politike të auditohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pasi një problematikë e përmendur nga KQZ-ja ka qenë për faktin se komisioneri Qendror i Zgjedhjeve auditon ose verifikon vetëm raportet që ju i dërgoni.
Oerd Bylykbashi: Praktikisht, një nga problemet kryesore me Kontrollin e Lartë të Shtetit ka qenë pikërisht kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit që të shfuqizonte detyrimin që kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit të bënte auditimin e financave të partive diku në vitin 2002. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shumë specifik e ka detyruar Parlamentin e Shqipërisë, që nga viti 2008-2010, që t’ia japë detyrën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sigurisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të fshihet pas pretendimeve për pamundësi. Hapësirat dhe mundësitë me ligj apo me financa, Parlamenti ia ka dhënë, por mbetet fakti që nga aq qindra denoncime që shkuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në fund fare rezultoi vetëm një gjobë me vlerën 30 euro. Kjo është e vërteta.
Pra, nëse ka një sistem financimi të paligjshëm që duhet ndëshkuar, duhet të ketë dhe një sistem efikas ndëshkimi, i cili nuk është.
Sali Berisha: Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme, klauzolat e anulimit të zgjedhjeve. I vendosi Franca, pas akuzave, të themi se s’mund të them se janë të vërteta, pas akuzave për financime të paligjshme nga një shtet i huaj i fushatës elektorale. Këshilli i Shtetit, që është si të thuash Gjykata Kushtetuese e Francës, rekomandoi gjykatësit që në raste si këto të ngjashme, të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve.
Të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve. Dhe kjo në republikën franceze, një vend që ka mbi një shekull që zhvillon zgjedhje dhe që zgjedh presidentet dhe parlamentin e tij, një vend që në tërësi ka pasur dhe ka traditë demokratike të konsoliduar, por ja që i ndodhi, dhe pikërisht kjo, për këtë arsye, Këshilli i Shtetit, organi kushtetues, organi që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese në një farë mënyre, ka dhënë opinionin që duhet të shkohet drejt anulimit të zgjedhjeve.
Tani, imagjinoni ju këtu. A mund të imagjinoni ju Altin Troplinin të urdhërojë anulim zgjedhjesh për Edi Ramën? Këta janë të lidhur në krime. Këta janë zinxhir. Dhe ndaj dhe shkojnë, 43 ankesa, penalizon vetëm në një rast.
E kuptoni ju? Domethënë, rreth 1%. Turp i madh, është e pakonceptueshme kjo, ky problem nuk ekziston kund në Evropë. Pra, është e domosdoshme të rikonsiderohet një trupë serioze që të jetë garante e ligjit elektoral dhe jo partiake, që s’pyet për ligjin elektoral.
Gazeta RD