Bajaziti: Rama përgjegjës për krizën, Kuvendi nis projektin e ripërtëritjes së partisë

Erisa Bajaziti pedagoge në Bruksel, gjatë fjalës së saj hyrëse në Kuvendin Kombëtar të PD-së u shpreh se ky Kuvend vjen në një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, e cila ndodhet në një udhëkryq të vështirë politik dhe institucional.

Ajo theksoi se vendi përballet me mungesë zgjedhjesh të lira, dobësim të institucioneve dhe problematika serioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bajaziti u shpreh se përgjegjës për këtë situatë është kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se Partia Demokratike përfaqëson shpresën për një zgjidhje dhe për një transformim europian të vendit.

Fjala e saj

Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Të nderuar miq dhe partnerë ndërkombëtarë që na keni nderuar me prezencën tuaj. Të nderuar të ftuar dhe kontribuues ndër vite të Partisë Demokratike. Të nderuar kryetarë të partive tona aleate. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha.

Unë, Erisa Bajaziti, kam nderin dhe privilegjin që si grua dhe përfaqësuese e diasporës të deklaroj në emër të kryetarit të Partisë Demokratike, të hapura punimet e Kuvendit Kombëtar. Ky kuvend vjen në një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike, por mbi të gjitha për Shqipërinë. Kurrë në historinë 36-vjeçare të demokracisë në vend, Shqipëria nuk ka patur kaq shumë nevojë për Partinë Demokratike. Kaq shumë nevojë për njerëz të lirë. Kaq shumë nevojë për secilin prej jush.

Vendi ndodhet në udhëkryq prej kohësh. Pa zgjedhje të lira, pa institucione të forta, me krimin e organizuar që ka depërtuar në institucione dhe në ekonomi, me korrupsion të shtrirë në çdo qelizë. Dhe për këtë ka një përgjegjës që është Edi Rama. Por lajmi i mirë që dua të përcjell nga ky kuvend për çdo qytetar shqiptar është që ka dhe një shpresë për zgjidhje, që është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Le të shërbejë ky kuvend si pikënisje i një transformimi të thellë të Partisë Demokratike që do të na çojë të gjithë bashkë krah për krah me çdo shqiptar, në transformimin europian të Shqipërisë. Prandaj, sot është momenti që nga ky kuvend t’i bëj thirrje çdo intelektuali që e do Shqipërinë të zhvilluar, le të bëhemi të gjithë bashkë për Shqipërinë.

I bëj thirrje çdo gruaje dhe vajze që dëshiron të ndërtojë një familje të fortë dhe në mirëqenie në Shqipëri, le të bëhemi të gjithë bashkë për Shqipërinë. I bëj thirrje çdo të riu dhe të reje që dëshiron të studiojë, të punojë në vendin e vet, le të bëhemi të gjithë bashkë për Shqipërinë. I bëj thirrje çdo bashkëqytetari që si unë jeton jashtë vendit, por mendjen dhe zemrën e kanë çdo ditë në atdheun e tyre.

Le të bëhemi të gjithë bashkë për Shqipërinë. Të nisim sot, të gjithë bashkë, projektin e ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Transformimit të saj, duke deklaruar një zëri se Partia Demokratike mbetet e hapur për çdo zë, për çdo ide, për çdo kontribut. Të nderuar delegatë, ky Kuvend Kombëtar është thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike, me një rend dite që synon ripërtëritjen dhe forcimin e Partisë Demokratike.

Me vendim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kuvendit Kombëtar i propozohet për miratim ky rend dite:

1. Miratimi i ndryshimeve në statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

2. Ratifikimi i vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të datës 5 mars 2024 për bashkimin e partisë.

3. Ratifikimin e rezolutës së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë për përqendrimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit 2025.

4. Miratimi i platformës për përfaqësimin politik të diasporës.

5. Miratimi i platformës për dixhitalizimin e partisë.

6. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë për një mandat 4 vjeçar.

Kush është dakord me këtë propozim? Pro. Kundër. Abstenim. Miratohet.

Në mbështetje të nenit 42, pika 2 të statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me propozim të Kryetarit të Partisë, Kuvendit Kombëtar i propozohet miratimi i këtyre organeve të punimit të Kuvendit. Komisioni i Drejtimit të Punimeve të Kuvendit propozohet të ketë këtë përbërje: Ivi Kaso, Kryetar. Floriana Garo, anëtare. Bardh Spahia, anëtar. Nada Meçorapaj, anëtare. Eliona Shkreli, anëtare.

Kush është dakord me këtë propozim? Pro. Kundër. Abstenim. Miratohet. Komisioni i Verifikimit të Mandateve dhe Kuorumit propozohet të ketë këtë përbërje: Marash Logu, Adriana Kalaja, Ledio Nuraj. Kush është dakord me këtë propozim? Pro. Kundër. Abstenim. Miratohet.

Komisioni përgjegjës për votimet dhe zgjedhjet: Gazment Bardhi, Kryetar. Eda Grinçi, anëtare. Eno Bozdo, anëtar. Kush është dakord me këtë propozim? Pro. Kundër. Abstenim. Miratohet.

Ftohen anëtarët e organeve të Kuvendit të zënë vendet e tyre dhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve dhe Kuorumit të nisë menjëherë punën verifikuese. Një duartrokitje, po, doni t’i mbani atë?

Faleminderit dhe suksese në punën tuaj. Të nderuar delegatë, partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian përbën themelin e palëkundur të kësaj partie. Sot kemi nderin që na nderojnë me prezencën e tyre shumë miq ndërkombëtarë të Partisë Demokratike, si dhe këtë Kuvend e kanë përshëndetur me video-mesazhe organizatat dhe partitë tona simotra.

Zonja dhe zotërinj, ndër vendet mike të Shqipërisë dhe integrimit të saj europian është edhe Kroacia. Është nder për ne sot që përmes një video-mesazhi, Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë e përshëndet Kryeministri i Kroacisë, Zoti Andrej Plenković. Një mik i çmuar i Shqipërisë, i Partisë Demokratike dhe i Kryetarit Zotit Sali Berisha.

About Redaksia

Check Also

Deputeti grek, Giogiakas: Ju sjell përshëndetjet nga kryeministri Mitsotakis, mbështetje PD për integrimin europian dhe reformat

Deputeti i Parlamentit Grek, Vassilios Giogiakas I nderuar zoti kryetar, të nderuar miq të Partisë …