Nga Arlind Bajaj
Liria, demokracia, dinjiteti dhe mirëqenia kanë qenë ndër fjalët më të munguara në jetën e shqiptarëve prej vitesh. Si pasojë, e ardhmja duket gjithnjë e më shumë si një koncept abstrakt dhe i paarritshëm në sytë e shumë prej nesh.
Shkatërrimi i kombit tonë duket se nuk ka të ndalur. Sot, më shumë se kurrë, shohim hapur vjedhjen e pronës. Kurrsesi nuk mund të themi se ky është rasti i parë i një vjedhjeje të tillë, e as rasti i parë i rrëmbimit të një personi me qëllimin e vetëm privimin e tij nga prona apo banesa. Përkundrazi, dhjetëra e ndoshta edhe qindra raste kanë nxjerrë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre, duke u mohuar atyre një nga të drejtat themelore të njeriut.
Por çdo durim e ka një kufi. Sot, gjithnjë e më shumë shqiptarë po e kuptojnë realitetin e hidhur që ka kapluar vendin tonë prej më shumë se një dekade. Numri i protestuesve po rritet dita-ditës. Ende ekziston një shpresë për të ardhmen. Për herë të parë pas shumë kohësh, qytetarët po arrijnë të shohin përtej asaj që deri dje ua pengonte shikimin dhe nuk i linte të dallonin fajtorin. Rasti i Zvërnecit i vuri vulën një realiteti të hidhur: një popull i tërë mund të gjendet i pafuqishëm përballë vullnetit të një njeriu të vetëm. Një njeriu që, edhe në frymëmarrjet e fundit, kërkon të gllabërojë ç’të gjejë nga vendi që qeveris.
Por a do të jetë Zvërneci zona e vetme që do të grabitet?
Nëse kthehemi pas në kohë, prezantimi i projektit të Zvërnecit është bërë jo më larg se dy vite më parë. Në atë kohë, një prej drejtuesve të kompanisë deklaroi se pjesë e investimit do të ishte edhe një manastir, pikërisht Manastiri i Zvërnecit, i cili, vlen të theksohet, ndodhet në një zonë më të largët se ajo që është rrethuar aktualisht. Një tjetër fakt është se drejtues dhe inxhinierë të së njëjtës kompani kanë vizituar dhe kanë parë nga afër edhe një zonë tjetër të njohur si Pylli i Sodës. Pikërisht aty janë kryer punime të vogla, afatshkurtra dhe pa rënë në sy. Kjo zonë ndodhet rreth 2 kilometra larg qendrës turistike të qytetit.
Këto zhvillime janë pikërisht ato që ngrenë dyshime për një shtrirje shumë më të madhe të zonës së investimit, çka do të nënkuptonte një grabitje më të gjerë të tokave private dhe një zgjerim që mund të arrijë deri në pjesët më të frekuentuara dhe më të banuara të qytetit.
Por jo vetëm kaq. Prej kohësh flitet se dy nga tre godinat e Universitetit të Vlorës, si edhe Pallati i Kulturës “Labëria”, do të privatizohen dhe do të spostohen në vende të tjera. Është pikërisht i njëjti investim i oligarkut që po grabit Portin Detar të Vlorës dhe që, mesa duket, synon të shtrihet në një zonë shumë më të gjerë se kaq.
Pra, çfarë do të mbetet për vlonjatët?
Gjithçka duket se është planifikuar shumë më herët. Nëse do të shikonim pak më larg, skenari do të bëhej edhe më i qartë. Varfërimi i vazhdueshëm i popullsisë do ta nxiste atë drejt emigrimit, ndërsa pjesa e mbetur e qytetarëve, e nënshtruar dhe e pafuqishme, nuk do të mund të ngrinte kokën as në kërkim të qindarkës së fundit. Në këtë mënyrë, çdo copë tokë do të mund të grabitej pa hasur rezistencë të vërtetë qytetare, qoftë edhe në mes të ditës. Edhe nëse do të ekzistonte një kauzë popullore dhe qytetare, askush nuk do të mund të ngrihej. Ndërsa ata që do të mund të ngriheshin, nuk do të arrinin qëllimin e tyre për shkak të zërit të dobët që pakica ka.
A është ky një tjetër komunizëm që po vjen në vendin tonë?
Personalisht mendoj ndryshe. Ky rast ngjason më shumë me një plan të mirëmenduar tipik antikombëtar të ardhur nga George Soros. Ai, i cili së bashku me kryekriminelin tonë, kërkon të largojë shqiptarët nga Shqipëria dhe të sjellë këtu njerëz të pasur e të pushtetshëm nga mbarë bota.
Për dekada me radhë, emri i Sorosit është lidhur me promovimin e asaj që ai e quan “shoqëri e hapur”, një ideologji që sipas mbështetësve të tij synon forcimin e demokracisë, ndërsa sipas kritikëve të tij dobëson identitetet kombëtare, traditat dhe sovranitetin e shteteve. Në shumë vende të Europës Lindore, si Hungaria, Polonia dhe vende të tjera të rajonit, ndikimi i fondacioneve dhe organizatave të lidhura me këtë vizion ka qenë objekt debatesh të forta politike. Kritika të ngjashme janë ngritur edhe në vende të tjera, ku kundërshtarët e tij pretendojnë se globalizmi i pakufizuar, emigracioni masiv dhe zbehja e kufijve kombëtarë po paraqiten si zgjidhje, ndërsa në praktikë po sjellin dobësimin e shteteve kombëtare dhe të identiteteve historike të popujve.
Në këtë këndvështrim, ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk shihet si një rast i izoluar, por si pjesë e një modeli më të gjerë që synon transformimin e shoqërive tradicionale në struktura më të lehta për t’u kontrolluar nga interesa ekonomike dhe politike ndërkombëtare. Dhe kur një komb humbet rininë e tij, humbet pronën e tij dhe humbet besimin tek e ardhmja, atëherë rrezikon të humbasë edhe vetveten.
I gjendur përballë këtyre fakteve, e vetmja fjalë që më vjen e para në mendje është: Protesto!
Gazeta RD