Shpopullimi “mbush” Shqipërinë me të huaj! Lejet e punës në 2025, kryesojnë India, Egjipti dhe Turqia

Kamerieri që të shërben në restorant, punonjësja që pastron hotelin, kujdestarja e fëmijëve apo punëtori në fabrikë, shumë shpesh nuk janë më shqiptarë, por të huaj. Në qytetet turistike, në bizneset e shërbimit, në ndërtim apo industri, prania e punonjësve të huaj është kthyer tashmë në një realitet i zakonshëm i tregut të punës në Shqipëri.

Ajo që deri pak vite më parë shihej si përjashtim, sot po bëhet normë. Bizneset po mbushin mungesën e fuqisë punëtore vendase me punonjës nga Azia, Afrika apo vende të tjera të rajonit, ndërsa emigracioni i shqiptarëve dhe tkurrja e popullsisë po ndryshojnë thellësisht strukturën e tregut të punës në vend.

Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion për Ekofin.al nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 13.335 leje unike qëndrimi me motivacion punësimi, ndërkohë që aplikimet kanë qenë edhe më të larta, mbi 19 mijë. Shifrat përfshijnë si punëmarrës, ashtu edhe të vetëpunësuar dhe pasqyrojnë qartë rritjen e varësisë së ekonomisë shqiptare nga fuqia punëtore e huaj.

Në total, lejet janë dhënë për shtetas nga 122 vende të botës. India kryeson listën me 2.490 leje unike për punëmarrës, e ndjekur nga Egjipti me 2.064 dhe Turqia me 1.009. Në Shqipëri po punojnë gjithashtu shtetas nga Italia, Mianmari dhe SHBA-ja, duke treguar se tregu shqiptar po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtar.

Në sektorin e turizmit, sidomos gjatë sezonit veror, bizneset raportojnë se gjetja e stafit shqiptar është bërë gjithnjë e më e vështirë. Restorantet dhe hotelet po mbështeten tek kamarierë, recepsionistë, punonjës kuzhine dhe staf pastrimi të ardhur nga jashtë për të mbuluar nevojat e sezonit.

E njëjta situatë po shfaqet edhe në ndërtim, fasoneri dhe industri prodhuese, ku shumë fabrika po punësojnë punëtorë të huaj për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase. Bizneset ankohen se të rinjtë shqiptarë po largohen drejt vendeve të Bashkimit Europian ose nuk preferojnë më profesione që lidhen me punë intensive dhe paga relativisht të ulëta.

Ndryshimi po ndihet edhe në jetën e përditshme. Familjet shqiptare po punësojnë gjithnjë e më shumë kujdestare të huaja për fëmijët apo të moshuarit, ndërsa në shumë zona turistike dëgjohen më shpesh gjuhë aziatike apo arabe mes stafit të shërbimit sesa dialekte shqiptare.

Ndërkohë, Shqipëria nuk po tërheq vetëm punëmarrës, por edhe sipërmarrës të huaj. Italia kryeson për lejet unike të të vetëpunësuarve me 229 të regjistruara, ndërsa pas saj renditen Turqia dhe SHBA. Kjo tregon se vendi po shihet gjithashtu si një treg me kosto relativisht të ulët për investime dhe zhvillim aktiviteti.

Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë këtë transformim si një pasojë direkte të krizës demografike dhe emigracionit masiv të viteve të fundit. Shqipëria po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore në sektorët bazë të ekonomisë, ndërsa bizneset po detyrohen të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit.

Në mënyrë paradoksale, një vend që për dekada eksportoi emigrantë në tregjet europiane të punës, sot po importon punëtorë për të mbajtur në funksion ekonominë e vet. Dhe me ritmet aktuale të largimit të të rinjve shqiptarë, ekspertët paralajmërojnë se ky fenomen do të bëhet edhe më i dukshëm në vitet e ardhshme./ Mirlinda Tili, ekofin.al

About Redaksia

Check Also

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur me baxhanakun e tij

Kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar skandalin me agjencinë e re që ka krijuar Rama. …