Edi Rama ka mbërritur pasditen e sotme në Vlorë me helikopter nga Mali i Zi, për një takim me banorët e Zvërnecit, në mes të debatit të ndezur për çështjen e pronave dhe projektin e investimit në zonë.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama u përball me reagimin e një banori, i cili i tha se, deklaratat e tij për pronat e kanë prekur, pasi familja e tij ka dekada që lufton për njohjen e së drejtës së pronësisë.
“Im atë ka luftuar për atë tokë për 25 vite, derisa ndërroi jetë. Më pas ma la mua trashëgim këtë betejë”, tha qytetari.
Ai theksoi se toka është trashëguar brez pas brezi dhe se deklaratat e kryeministrit kanë krijuar përshtypjen se çështja është paragjykuar para se të shprehet drejtësia.
“Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Mua më vrau fakti që u duk sikur çështja ishte e paragjykuar, sikur çfarë të pres unë tani nga gjykata. Nëse prona më takon apo jo, këtë e vendos gjykata. Na kanë sorollatur për 35 vite. Për 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Fakti që nuk kemi vrarë e prerë nuk do të thotë se nuk duhet të dëgjohemi dhe të kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur”, u shpreh ai.
Rama është spërdredhur në përgjigjen e tij duke thënë se ka qenë i kujdesshëm me deklaratat dhe se nuk ka folur për një kthim të fundit të pronave.
“Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalët. Kam thënë që prona është kthyer dembabadem. Është kthyer shumë vite më parë, jo në këtë periudhë”, është shprehur ai.
PJESË NGA DISKUTIMI
Rama: Nëse në këtë proces, ju që thoni që jeni në gjykatë, do të merrni nga gjykata letrën që jeni pronarë legjitim trashëgimtarë, ju do të keni akses në atë fond dhe do të merrni paratë. Unë nuk jam certifikues i asnjë prone, nuk e kam kompetencën.
Qytetari: Kërkojmë që të mos ketë ndërhyrje përveç gjykatës.
Rama: Të lutem me kë po flet?
Qytetari: Po sqaroj veten.
Rama: Me kë po flet?! Jo si kryeministër. Nëse unë kam kurajo të vij përpara jush.
Qytetari vijon flet.
Rama: E kanë zakon këta vlonjatët nuk e lëshojnë mikrofonin.
Qytetari: Prona nuk është e kthyer dem baba dem. Në 2009 i është dhënë dikujt.
Rama: Kur është kthyer? Të lutem shumë, këtë më thuaj.
Qytetari: Në 2009.
Rama: Pse na fut në këto. Në 2009 unë i kam pasur flokët e zeza, nuk kam pasur kaq shumë. Mos bëjmë debat kot.
Qytetari: Unë dem baba dem e di ndryshe.
Rama: Ti je vlonjat nuk e di çfarë është dem baba dem. Nuk po i shmangem së vërtetës. Një pronë bllokohet vetëm me siguri padije. Çfarë lidhje ka që je në gjyq.
Gazeta RD