Nga Eralba Kreshpa- Nënkryetare e PD Vlorë
Të dashur qytetarë,
Po, unë e mbështes investimin e huaj. E mbështes çdo investim që krijon punë, zhvillim dhe mirëqenie. Por nuk mund të kërkoni nga ne të heshtim përballë padrejtësive që po përjeton ky popull.
Nuk mund të hesht kur një i sëmurë me kancer endet dyerve të spitaleve për të marrë një biopsi, kur pret me ankth për një analizë që mund t’i shpëtojë jetën, ndërsa qeveria na flet për suksese imagjinare.
Nuk mund të hesht kur në Onkologjik qytetarët luftojnë për jetën, ndërsa shteti nuk arrin t’u garantojë shërbimin që meritojnë.
Nuk mund të hesht kur pensionistët që kanë punuar një jetë të tërë numërojnë lekët për të blerë bukë, qumësht dhe ilaçe.
Nuk mund të hesht kur çmimet rriten çdo ditë, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten në vend.
Nuk mund të hesht kur të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria sepse ju ua vratë shpresën për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Nuk mund të hesht kur spitalet po boshatisen nga mjekët sepse ju i detyruat të largohen.
Nuk mund të hesht kur familjet shqiptare nuk përballojnë dot qiranë, faturat dhe jetesën, ndërsa një grusht njerëzish pasurohen çdo ditë e më shumë.
Nuk mund të hesht kur rrugët ndërtohen me miliona euro nga taksat tona dhe pas pak muajsh shemben, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi.
Nuk mund të hesht kur korrupsioni po gërryen çdo institucion dhe kur qytetarëve u kërkohet vetëm të durojnë.
Dhe mbi të gjitha, nuk mund të hesht kur ky pushtet kërkon duartrokitje, ndërsa qytetarët kërkojnë drejtësi, dinjitet dhe një jetë normale.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit. Ne nuk jemi kundër investimeve. Ne jemi kundër padrejtësisë.
Jemi këtu për t’u kujtuar se pas çdo statistike ka një nënë që nuk gjen ilaçet, një pensionist që nuk mbyll muajin, një i ri që largohet nga vendi dhe një familje që po humbet shpresën.
Dhe kur qytetarëve u merret shpresa, ata nuk heshtin.
Ata ngrihen.
Sot Vlora ngrihet.
Sot qytetarët ngrihen.
Sot po i themi pushtetit se nuk do të heshtim më! Shqipëria meriton më shumë! Vlora meriton më shumë! Dhe ne do të vazhdojmë ta ngremë zërin derisa të dëgjohemi!
Nuk mund të hesht kur kjo qeveri gjen para për të financuar terapi hormonale falas për të mitur, ndërsa qytetarët shqiptarë luftojnë çdo ditë për shërbimet më bazike shëndetësore. Nuk mund të hesht kur familjet shqiptare paguajnë nga xhepi për analiza, për ilaçe dhe për trajtime jetike, ndërsa prioritetet e qeverisë janë larg halleve reale të njerëzve.
Nuk mund të hesht kur prindërit shqiptarë shqetësohen çdo ditë për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe shohin se si po vihen në diskutim vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë. Sepse e vetmja gjë që i kishte mbetur këtij vendi pas varfërisë, pas emigrimit masiv, pas korrupsionit dhe padrejtësive, ishte familja. Familja shqiptare ishte streha e fundit e sigurisë, e dashurisë dhe e shpresës.
Ju ua morët të rinjve të ardhmen. Ju ua morët pensionistëve dinjitetin. Ju ua morët qytetarëve besimin tek shteti. Dhe sot po prekni edhe atë që ka mbajtur gjallë këtë komb në kohët më të vështira: familjen shqiptare. Për ne familja nuk është një pengesë për përparimin, por është themeli i shoqërisë, themeli i kombit dhe garancia e së ardhmes sonë.
Prandaj nuk do të heshtim, nuk do të ulim kokën dhe nuk do të pranojmë që prioritetet e shqiptarëve të zëvendësohen me politika që nuk zgjidhin problemet e tyre të përditshme.”
Dëgjon, Kryeministër?
Spitale pa mjeke.
Shkolla pa fëmijë.
Qytet pa rrugë.
Toka pa bujk.
Shtëpitë mbeten bosh dhe nënat tona vetëm.
Vetëm dhe vetëm dallavera dhe në dëm të këtij vëndi që ju rriti që ju ngriti që ju ngopi që ju dëndi
Dorëhiqu, Kryeministër, në të mirë të Shqipërisë.
Gazeta RD