Protesta është thellësisht politike!

Nga Bislim AHMETAJ
🔹️Sepse kur mungon uji në çezma dhe, kur vjen, është i papijshëm — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur paratë nuk të mjaftojnë për të mbyllur muajin me ushqimet bazë të shportës — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur të premtojnë se mjekësia është falas, ndërsa ty të duhet të shesësh gjithçka për të blerë jetën ose për të shtyrë vdekjen tënde apo të njeriut tënd të dashur — kjo është politikë
🔹️Sepse kur ndërtohen shkolla nëpër fshatra ku nuk ka më nxënës, ndërsa në metropole mësimi vazhdon me turne dhe me klasa të mbipopulluara — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur vendi yt prodhon naftë, por ajo vidhet, grabitet dhe ti detyrohesh ta blesh më shtrenjtë se pothuajse kushdo tjetër në Europë — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur rrugët ndërtohen me çmime dyfish më të larta se në vendet europiane dhe ende pa u përuruar fillojnë të shemben — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur krimi kontrollon çdo segment të pushtetit, nga inspektori më i thjeshtë deri te zyra e kreut të qeverisë — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur qytetari trajtohet thjesht si numër, kur ndahet në “tanët” dhe “kundërshtarët” — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur shteti dhe pasuria publike përdoren në funksion të pushtetit — kjo është politikë.
🔹️Sepse kur të tundin nëpër sheshe e televizione të kontrolluara “83 mandatet”, të siguruara me para publike, patronazhistë, administratë, shantazh, korrupsion dhe mbështetje të krimit — kjo është politikë. Dhe pikë.
🔹️Nuk ka asnjë dyshim se protestat qytetare që kanë shpërthyer në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, të mbështetura edhe nga shqiptarët që janë detyruar të largohen nga atdheu i tyre, janë thellësisht politike.
🔹️Në këto protesta janë përfshirë qytetarë të lirë, të rinj që punojnë në sektorin privat, intelektualë, profesionistë me integritet, por pa dyshim edhe grupe me interesa të caktuara.
➡️Tani është koha për kthjelltësi, maturi, qartësi dhe mençuri; që protesta të mos instrumentalizohet dhe të mos bjerë pre e gjuetarëve të pushtetit.
➡️Ky është momenti më delikat. Kjo është sfida më e madhe e kësaj lëvizjeje që ka zgjuar shpresë dhe besim, njësoj si Dhjetori i vitit 1990.
➡️Një zhgënjim i dytë do të ishte katastrofik për rininë shqiptare.
Protesta ka hyrë në një fazë ku duhet t’i kërkohet ndihmë mendjes, jo vetëm zemërimit.
➡️Çdo ditë që protestat do t’i lihen spontanitetit, druaj se do të kenë vetëm dy fate: ose destruktivitetin, ose rënien e lirë.
#Të dyja do të ishin zgjidhje të pamerituara dhe me pasoja të pariparueshme për vendin.
Tiranë me 8 Qershor 2026

About Redaksia

Check Also

“Burg, burg është stili i Ramës, o çuna”!

Nga Agim XHAFKA Që në krye po përsëris atë që kam thënë këto 8 ditë. …