Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, një zhvillim që po cilësohet nga mediat ndërkombëtare si një nga kthesat më të rëndësishme diplomatike të muajve të fundit në Lindjen e Mesme.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është arritur dhe se, si pjesë e saj, do të hapet sërish Ngushtica e Hormuzit për lundrimin ndërkombëtar. “Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është arritur.
Me anë të kësaj, unë autorizoj plotësisht hapjen pa pagesë të Ngushticës së Hormuzit dhe njëkohësisht autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët tuaj. Lëreni naftën të rrjedhë!”, shkroi Trump. Lajmi u konfirmua më herët edhe nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka luajtur rol ndërmjetësues në bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas tij, pas negociatave intensive është arritur një marrëveshje paqeje mes dy vendeve, e cila parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Sharif bëri të ditur se ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet më 19 qershor në Zvicër, ndërsa gjatë kësaj jave do të mbahen takime teknike për zbatimin e marrëveshjes.
Në deklaratën e tij, kryeministri pakistanez falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe Iranin për angazhimin në zgjidhjen diplomatike të konfliktit, si dhe vlerësoi rolin e Katarit, Arabisë Saudite dhe Turqisë në ndërmjetësimin e procesit. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si një nga rrugët detare më strategjike në botë, pasi një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të naftës kalon përmes saj. Rihapja e saj mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilizimin e tregjeve energjetike dhe në uljen e tensioneve ndërkombëtare. Megjithatë, disa detaje të marrëveshjes mbeten ende të paqarta dhe pritet të bëhen publike pas nënshkrimit zyrtar.
Gazeta RD