Letër e hapur organizatorëve anonimë të protestës
Quhem Irma Marku.
Jam mësuese. Jam qytetare. Jam e djathtë.
Dhe po ju shkruaj juve, organizatorëve anonimë të kësaj proteste që sot ka hyrë në ditën e saj të gjashtëmbëdhjetë.
Ju them anonimë jo sepse nuk ekzistoni, por sepse keni zgjedhur të mbeteni pas perdes, ndërsa para kamerave shfaqet vetëm produkti i përfunduar. një protestë e kuruar deri në detaj, e disiplinuar deri në centimetër, e sinkronizuar deri në rrokje.
Një protestë që ngjan më shumë me një regji të kujdesëshme sesa me shpërthimin e natyrshëm të një revolte popullore.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja ime:
Ku është vendi im në këtë protestë?
Sepse po përpiqem ta gjej.
Po përpiqem ta gjej mes këngëve, mes pankartave, mes fjalimeve dhe sloganeve të përzgjedhura me kujdes kirurgjikal.
Po përpiqem ta gjej mes një zemërimi që duket se ka marrë leje paraprake për të mos dalë jashtë skenarit.
Sepse unë mbaj mend.
Mbaj mend trembëdhjetë vite gjatë të cilave mijëra shqiptarë u zhvatën, u poshtëruan, u përzunë nga vendi i tyre ose u detyruan të heshtnin për të mbijetuar.
Mbaj mend bizneset që u mbyllën.
Mbaj mend shtëpitë që u shembën.
Mbaj mend qytetarët që u tërhoqën zvarrë.
Mbaj mend spitalet ku mungonte shpresa dhe shkollat ku mungonte cilësia.
Mbaj mend profesionistët që ikën.
Mbaj mend fëmijët që ikën.
Mbaj mend një Shqipëri që zbrazej, ndërsa propaganda na thoshte se po lulëzonte.
Dhe mbi të gjitha, mbaj mend refrenin e pandryshueshëm që na servirej për çdo plagë që hapej në këtë vend:
“Fajin e ka Saliu.”
Një fjali e vetme për të mbuluar çdo dështim.
Një alibi kombëtare.
Një formulë magjike për të shfajësuar pushtetin dhe për të fajësuar gjithmonë dikë tjetër.
Pastaj erdhën patronazhistët.
Të ndiqnin.
Të regjistronin.
Të etiketonin.
Të klasifikonin.
Dinin për ty, më shumë sesa dije ti për veten.
Sidomos nëse ishe i djathtë.
Sepse në Shqipërinë e këtyre viteve nuk ishte problem të kishe bindje politike.
Problem ishte të kishe bindjet e gabuara.
Nuk ishte problem të ishe militant.
Problem ishte të mos ishe në anën e duhur të pushtetit.
Dhe kështu, pak nga pak, shumë prej nesh u shndërruam në objekt përqeshjeje, stigmatizimi, mohimi profesional dhe izolimi publik.
Na kërkonin të na vinte turp nga bindjet tona.
Turp që ishim të djathtë.
Turp që mendonim ndryshe.
Turp që refuzonim konformizmin.
Por, nuk na erdhi turp.
Sepse bindjet politike nuk janë krim.
Dhe pluralizmi nuk është favor që ta jep pushteti.
Është e drejtë.
Megjithatë ne rezistuam.
Kur shumë prej atyre që sot flasin në emër të revoltës heshtnin, ne ishim në shesh.
Kur Berisha u shpall non grata, ne ishim në shesh.
Kur u përjashtua nga Parlamenti, ne ishim në shesh.
Kur u mbajt në arrest shtëpie për muaj të tërë, ne ishim në shesh.
Kur policia hidhte gaz, ne ishim në shesh.
Kur mediat bënin sikur nuk ekzistonim, ne ishim në shesh.
Kur ishte e kushtueshme të protestoje, ne protestonim.
Prandaj sot kam të drejtë t’ju pyes:
Pse sa herë afrohem pranë kësaj proteste, ndiej se dikush po më thotë se nuk jam e mirëpritur?
Pse dëgjoj vazhdimisht se nuk duhen individë politikë?
Dhe pse, për çudi, individë politikë ju duken vetëm të djathtët?
Kush e vendosi këtë kriter?
Kush e përcaktoi se qytetaria fillon aty ku mbaron identiteti politik i së djathtës?
Kush jua dha të drejtën të flisni në emër të popullit?
Sepse, kjo është pjesa që më shqetëson më shumë.
Jo protesta. Protesta është e natyrshmja e rracës tonë.
Jo protestuesit. Ata që e ruajnë të natyrëshmen e tyre, janë aseti që ia ka dalë të ruajë humanen në këto kohë të amullta vlerash.
Më shqetësojnë ata që pretendojnë, të jenë përkthyesit ekskluzivë të ndërgjegjes kombëtare.
Historia jonë ka njohur edhe më parë njerëz që pretendonin se flisnin në emër të popullit.
Madje pretendonin se populli dhe ata ishin e njëjta gjë.
Ne, të djathtët e dimë mirë se ku përfundoi ai pretendim.
Në plaçkitje.
Në burgime.
Në internime.
Në ekzekutime.
Prandaj kam mësuar të kem kujdes nga njerëzit që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën absolute.
Po aq sa kam mësuar të kem kujdes nga pushteti që pretendon se nuk gabon kurrë.
Dhe pikërisht për këtë arsye më shqetëson slogani që kujdeseni ta dëgjojmë vazhdimisht nga mikrofoni:
“Rama n’burg, Berisha n’burg.”
Jo sepse kam frikë nga drejtësia.
Por sepse kam frikë nga relativizimi.
Sepse pas trembëdhjetë vitesh pushtet absolut, pas gjithë asaj që ka ndodhur në këtë vend, dikush po përpiqet të më bindë se përgjegjësitë janë simetrike.
Se faji është i barabartë.
Se historia mund të sheshohet me një slogan.
Se xhelati dhe kundërshtari i tij mund të futen në të njëjtën fjali dhe kjo të quhet drejtësi.
Jo.
Kjo nuk është drejtësi.
Kjo është narrativë.
Dhe tani, organizatorë anonimë të kësaj proteste, më lejoni t’ju bëj disa pyetje.
A po kërkoni vërtet rrëzimin e një sistemi, apo vetëm zëvendësimin e aktorëve në të njëjtën skenë?
A po ngrihet zemërimi i qytetarëve për të shembur një teatër mashtrimi, apo për të ndryshuar dekorin e tij?
A janë këta emra të rinj që shohim në prozhektorë, fara e një pranvere politike, apo vetëm maskat e reja të fytyrave që kanë mësuar të jetojnë në errësirën e kuintave?
Sepse historia na ka mësuar se ujqërit plaken, por rrallëherë bëhen barinj.
Ndryshojnë qimen.
Ndryshojnë emrin.
Ndryshojnë flamurin.
Por jo instinktin.
Kush po e drejton këtë orkestër?
Kush zgjedh notat?
Kush vendos se cili zemërim lejohet të dëgjohet dhe cili duhet të mbetet në heshtje?
Kush vendos se kush është qytetar dhe kush është “politik”?
Kush vendos se cila e shkuar duhet kujtuar dhe cila duhet varrosur?
Dhe mbi të gjitha:
Përse trembeni kaq shumë nga kujtesa?
Sepse një popull pa kujtesë është lënda e parë më e lirë për çdo riciklim pushteti.
Sot dëgjoj shpesh parrullën “Shqipëria e Re”.
Por Shqipëria nuk ka nevojë të bëhet e re.
Shqipëria nuk është një produkt që duhet riemërtuar.
Ajo është ndër kombet më të vjetra të Ballkanit.
Një trung i lashtë që ka mbijetuar perandori, pushtime, diktatura dhe tradhêti.
Nuk ka nevojë të fshijë rrudhat.
Ka nevojë të shërojë plagët.
Nuk ka nevojë të harrojë.
Ka nevojë të kujtojë.
Sepse plagët e pashëruara nuk zhduken.
Vetëm mbulohen me grim.
Dhe një komb që mbulon plagët pa i shëruar, rrezikon t’i quajë rilindje edhe ethet e së njëjtës sëmundje.
Prandaj ende pyes:
Ku është vendi im në këtë protestë?
Dhe nëse nuk ka vend për kujtesën time, për bindjet e mia, për sakrificat e mia dhe për të vërtetat që kam jetuar, atëherë mos vallë nuk jemi përballë një lëvizjeje që kërkon të bashkojë shqiptarët, por përballë një tjetër skenografie që synon t’i përdorë ata?
Këtë herë me aktorë të rinj në skenë.
Dhe me të njëjtët regjisorë pas perdes…?!
Gazeta RD