Çfarë gjetën prokurorët në televizionin e Belës/ Vila që hodhi në erë ish-ministren

Elton Qyno

Në muajin Prill 2026, një skuadër me agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë trokitur në derën e vilës luksoze F-6 që ndodhet në kompleksin “White Rocks” në zonën e Gjilekës në Dhërmi.

Ata ishin vënë në dijeni se kush banonte në atë vilë, ndaj oficerët kishin marë në Gjykatën e Posaçme një vendim kontrolli, ndaj duhet ta zbatonin për të kryer kontrollin brenda dhe jashtë vilës.

Zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës së Shqipëri, ka jetuar së bashku me familjen e saj në këtë vilë luksoze që prej qershorit 2019 e në vitet në vijim.

Pikërisht në këtë kompleks Belinda Balluku, kishte mbledhur dhe tarafin e saj, pasi në një tjetër telefon “Blackberry” të sekuestruar zyrtares Viola Haxhiademit, rezultoi i krijuar një grup në “What’s app” i titulluar “Dhërmi”.

Në këtë grup sipas dokumentave të siguruara nga gazetari Elton Qyno, bënin pjesë Belinda Balluku me detyrë zv/kryeministre, Matilta Kërçaku me detyrë Drejtuese e Sekretariatit Kombëtar për Industrinë Nxjerëse, Viola Haxhiademi Sekretare e Përgjithshme në MEI, Maksim Ethemaj drejtor i Aviacionit Civil, Alketa Pano, sekretarja e Ballukut në zv/kryeministri.

Kontrolli në vilë nga ana e policisë gjyqësore BKH, është kryer në 27 Prill 2026.

Gjatë kontrollit në ambjentet e brendshme të kësaj vile është konstatuar se ajo është përdorur rregullisht nga ish-zyrtarja e lartë, Belinda Balluku, pasi arredimi dhe pajisjet elektronike janë vendosur dhe përdorur nga Balluku dhe familjarët e saj.

Konkretisht në vilë janë konstatuar si më poshtë vijon sende dhe detaje që të krijojnë bindjen e plotë se pikërisht në këtë vilë jeton dhe posedohet nga Belinda Balluku.

Piktura të cilat janë vendosur në muret e vilës kanë të shënura incialet e vajzës së ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku.

Zbukurime për festa ditëlindjesh në emër të djalit të Belinda Balluku (Happy Birthday Colin).

Ndërkohë në televizorin që gjendej në dhomën e ndenjes së vilës, është konstatuar i hapur program “Netflix” me E-mail-in e llogarisë “belinda.balluku@gmail.com”, ku gjenden si përdorues emrat e ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku dhe të fëmijëve të saj si “Belinda”, “Belenko”, “Belen” dhe “princess colin”.

Gjithashtu gjatë kontrollit të kësaj vile janë gjetur dhe sekuestruar dokumentet “Kontratë qiraje”, e cila nuk është lidhur përpara një noteri publik.

Sipas këtij dokumenti në 25 Maj 2022, është lidhur ndërmjet ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare, në cilësinë e qiradhënësit dhe Joana Bushi, vartëses së Ballukut, në cilësinë e qiramarrësit, për vilën F-6, në kompleksin “White Rocks”.

Në këtë kontratë është përcaktuar se afati i qirasë fillon më datë 1 qershor 2022 dhe përfundon në 1 qershor 2024.

Dokumenti nënvizon se kontrata rinovohet automatikisht për një periudhë 2 vjeçare nga data e skadencës. Në nenin 4 të kontratës është përcaktuar se vlera mujore e qirasë për posedimin e pasurisë do të jetë 450 Euro në muaj.

Një shifër qesharake kjo për qëranë e një vile në një nga zonat elitare të Shqipërisë. Sipas dokumentit pagesa do të bëhet me bazë vjetore, ku pagesa e vitit të parë të qirasë do të kryhet në datë 1 qershor 2023, e kështu çdo datë 1 qershor të vitit pasardhës, përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së qirasë.

Ndërkohë në 25 Maj 2022, ndërmjet ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare, Igli Tare dhe Joana Bushit, është bërë një amendim i kontratës, duke rritur vlerën e qërasë mujore nga 450 euro në 600 euro.

Në 1 qershor 2023 Joana Bushi arkëton një pagesë prej 5400 euro. Ndërsa në 30 Maj 2024, sërisht Joana Bushi, arkëton një pagesë prej 5400 euro.

Nga hetimi rezulton se kjo kontratë qiraje është fiktive, është bërë për të humbur gjurmët në lidhje me poseduesin real të kësaj pasurie, e cila rezulton të jetë, Belinda Balluku.

Për të fshehur posedimin e saj, Belinda Balluku, ka përdorur vartësen e saj, Joana Bushi, duke kryer një veprim fiktiv të lidhjes së kontratës së qirasë me personin tjetër të përdorur si porosistës të kësaj Vile, Igli Tare.

Veprimet e kryera nga Igli Tare për kontratën e porosisë, si dhe pagesa pjesore e formalizuar për këtë kontratë, janë bërë për llogari të Belinda Ballukut.

Sipas SPAK, kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë “Eurocol”, në drejtim të Belinda Balluku, për shkak të veprime të kryera nga Belinda Balluku, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, “Albcontrol”, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol”, në lidhje me paracaktimin, krijimin e avantazheve dhe privilegjeve për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, shoqërinë e shtetasit Pandeli Carapuli, “Eurocol” sh.p.k.

Nga hetimi ka rezulton se njësitë e banimit në kompleksin “White Rocks”, kanë filluar t’u dorëzohen personave të interesuar për banim në muajin qershor të vitit 2019.

Që nga momenti i marrjes në dorëzim të vilës, ajo rezulton të jetë përdorur në mënyrë të rregullt nga Belinda Balluku.

Ndërkohë nga kqyrja e aktit të ekspertimit Nr.203 të datës 8 Tetor 2024, të aparatit celular “Blackberry”, sekuestruar Viola Haxhiademi, rezulton se në 21 qershor 2019, në aplikacionin “What’s App”, Belinda Balluku, e cila ka përdorur numrin e celularit “069604XXXx” ka krijuar grupin e titulluar “Dhermi”.

Në këtë grup bëjnë pjesë Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano.

Ka rezultuar se personat komunikues të futur në grup nga Belinda Balluku, zyrtarët Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano, kanë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”, në Dhërmi.

Emri i grupit është titulluar “Dhërmi”, për shkak të vendndodhjes së këtyre njësive të banimit, ky grup është krijuar që zyrtarët e mësipërm të koordinoheshin me njëri-tjetrin, gjatë kohës që ndodheshin në kompleks.

Në këtë grup mungon emri i Joana Bushi, e cila ka lidhur fiktivisht kontratën e qirasë me Igli Taren, për vilën F-6, vilë e cila de facto rezulton të jetë e zyrtares së lartë, Belinda Balluku.

Gjithashtu ka rezultuar se “Vila F-6” përdoret në mënyrë të rregullt nga Belinda Balluku.

Shoferi i saj, Albert Ushe, i cili rezulton të jetë shofer i familjarëve të shtetases Belinda Balluku, si dhe shtetasja Alketa Pano, sekretare e shtetases Belinda Balluku në kryeministri, gjatë bisedave të përgjuara që bëjnë, i referohen vilës F-6, si pronë e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

KUJDE! Ky është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

About Krye Redaktor

Check Also

Shpallet në kërkim kandidati për deputet i Ramës

Prokuroria e Dibrës ka firmosur 14 masa sigurie mes të cilave edhe arrest në burg, …