Jamarbër Malltezi ka reaguar pas deklaratave të bëra gjatë protestës së një dite më parë, ku një qytetare pretendoi se familja Berisha i kishte marrë 63 hektarë tokë në Divjakë.
Në një postim në Facebook, Malltezi i cilëson akuzat si “gënjeshtër të plotë” dhe “shpifje të turpshme”, duke theksuar se as Argita Berisha dhe as familja e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk kanë pasur ndonjëherë pronë në Divjakë.
Ai paralajmëron se personi që ka bërë deklaratën do të përballet me padi për shpifje dhe mashtrim.
Reagimi i Malltezit
Kush e njeh këtë ju lutem më jepni emrin dhe vendbanimin se duhet paditur për shpifje dhe mashtrim
Lidhur me deklaratën e një shpifëseje të paguar dje në protestë, se “Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë”, deklaroj se: kjo është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme.
Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë patur kurrë asnjë centimetër tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë.
Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt.
Pasi dështuan me shpifjet për interesat e mia e të familjarëve të mi në kullat e Tiranës, ditën kur Edi Rama duhet të jepte përgjigje për vjedhjen e pronës publike të provuar me dokumentat e rastit të hotelit Zig-Zag, duke qenë që përgjigje nuk jepte dot zgjodhi shpifjen.
Përlyerja e kauzave publike me gënjeshtra të dukshme është mjet i qëllimshëm i asfiksimit të kauzës dhe oksigjenimit të kësaj qeverie që ka vjedhur pronat publike e private të shqiptarëve dhe kërkon të fshihet pas shpifësave të saj.
Duke përfunduar Sali Berisha mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, por natyrisht jo shpifjet dhe shpifësit që e dëmtojnë kauzën e saj.

Gazeta RD