Ka humbur Presidenti i Shqipërisë – nëse e gjeni, mos e ktheni!!!

Nga Kim MEHMETI

Shqipëria ka President, por askush nuk e di se ku ndodhet ai, përderisa rinia shqiptare ka mbushur bulevardet e Tiranës.

Pra askush nuk e di se çfarë mendon ai lidhur me protestat më të bukura që ka parë shqiptaria.

Po pra, Presidenti i Shqipërisë ka humbur dhe duhet t’u thuhet atyre që do ta gjejnë: ju lutemi, mos na e ktheni, ngase ai nuk është i yni, por i Piktorit.

Shqipëria ka edhe akademikë, ka me qindra profesorë, artistë…, por thuajse të gjithë heshtin.

Shqipëria ka aq shumë media sa rrallë ndonjë shtet tjetër, por shumica e tyre janë “lavatriçe” të parave të krimit dhe mirëmbahen nga krimi.

Andaj, brohorimat ‘Shqipëria e shqiptarëve e jo e pushtetarëve’ dhe ‘O Piktor, o tradhtar, jep dorëheqje sa më parë!’, më shumë i tronditin Presidentin, mediat, akademikët, profesorët, artistët…, që u majmën duke iu jargavitur pushtetarëve, sesa vetë ‘Enverin e Dytë’ – Piktorin!

Pra, rinia që proteston më shumë i frikon përçmuesit e shqiptarisë, të sojit të atij profesorit nga Prishtina me tru të dëmtuar dhe të dhjamosur, që beson se të jesh kundër gjenocidit në Gaza, të të dhimbsen fëmijët e varrosur nën gërmadhat e Gazës dhe të jesh kundër shitjes së atdheut, na qenka antishqiptarizëm dhe antiamerikanizëm?!

Shqipëria, e cila tri dekada me radhë shihte ëndrra demokratike, por flinte në shtratin enverist, më në fund i rriti brezat që ia freskojnë gjakun e atdhedashurisë.

Por përderisa ato gjenerata rriteteshin atë e mbuloi plehu, të cilin nuk e përbëjnë vetëm elitat politike, por thuajse të gjitha elitat e tjera.

Andaj, mos të vetëgënjehemi: kjo rini që i ka mbushur bulevardet e Tiranës nuk do ta ketë të lehtë ta pastrojë shqiptarinë nga ky pleh që e kalb dhe e qelb atë.

Dhe çdokush që ka pak njerëzore e kombëtare në vetvete, nuk mund të jetë kundër kësaj proteste rinore, e cila ia rikthen dinjitetin pronarit të vërtetë të Shqipërisë – popullit shqiptar – dhe që ngërthen në vetvete kërkesa të larmishme, ashtu siç është e larmishme lulishtja kombëtare e shqiptarisë! (Kim Mehmeti)

About Redaksia

Check Also

Është rrëzuar algoritmi i Diellës dhe ka fituar algoritmi i qytetarëve!

Nga Bislim AHMETAJ Më në fund ka rënë algoritmi i propagandës, algoritmi i frikës, algoritmi …