Kasmi: Takimi i Ramës me Macron, mesazh se kryeministrit i ka ardhur fundi!

Gazetari Bledi Kasmi, i ftuar këtë të martë në emisionin “Kafe Shqeto”, komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Francë dhe takimin e tij me presidentin francez Emmanuel Macron.

Sipas Kasmit, Macron ka qenë ndër liderët evropianë që historikisht i ka ofruar mbështetje politike Ramës dhe ka luajtur rol ndërmjetësues në raportet e tij me faktorët ndërkombëtarë.

Kasmi vuri në dukje se deklaratat zyrtare pas takimit ishin të rezervuara, pavarësisht kohëzgjatjes së madhe të diskutimeve.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike, Kasmi tha se Rama po humbet gradualisht mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe po shndërrohet në atë që ai e quajti “kufomë politike”.

Duke folur për protestat në vend, Kasmi pretendoi se ato përfaqësojnë një reagim të gjerë qytetar përtej ndarjeve tradicionale politike. Ai tha se, sot përgjigjja ndaj Ramës po vjen nga i gjithë kombi shqiptar, janë bashkuar të majtë e të djathtë, radikalë të të dy krahëve. Qëllimi është vetëm një: largimi i Ramës!

Kasmi: Mendoj që Rama ka gjetur gjithmonë një lloj mbështetje politike tek presidenti i Francës. Ka qenë ai gjithmonë një lloj ndërmjetësi edhe te ndërkombëtarët për ta pranuar Ramën në konferenca të ndryshme edhe kur nuk i takonte që të ishte.

Duket që ai ka qenë gjithmonë në një sens pozitiv ndaj Ramës, ka pasur një lloj lobimi edhe tek ndërkombëtarët e tjerë në favor të Ramës. Dhe unë besoj që kjo vizitë e Ramës tek Macroni, tek presidenti i Francës, ka qenë pikërisht për këtë. Kur të gjithë dyert e tjera për Ramën janë mbyllur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, e vetmja derë që Rama ka trokitur dhe i është hapur, ka qenë ajo e presidentit të Francës.

Megjithatë, ne nuk duhet ta paragjykojmë këtë vizitë në planin politik, pasiqë nuk e dimë se çfarë është diskutuar. Zakonisht, kur një pushteti i vjen ngordhja, mesazhin e fundit për t’u larguar e merr nga miqtë më të afërt politikë që ai konsideron ndërkombëtarë. Kjo ka qenë jo vetëm në rastin e Shqipërisë, por kjo ka qenë edhe në raste të tjera ndërkombëtare, që dihet që mesazhin e fundit për t’u larguar nuk ia japin thjesht vetëm protestuesit ose thjesht vetëm kultura ndërkombëtare, por ia japin ata njerëz që konsiderohen më të afërt politikisht me një kryeministër.Unë thashë, në të tilla raste nuk jemi të sigurt. Nuk mund ta paragjykojmë sepse i ka dhënë mbështetje apo s’i ka dhënë mbështetje, sepse ne nuk e dimë çfarë është diskutuar në atë takim.

Kemi dy deklarata shumë të ftohta mbas takimit, të cilat pothuajse nuk thonë asgjë, në kohën që takimi ka qenë shumë i zgjatur, si takimi i ndërmjetëm ashtu dhe dreka. Pra, ka pasur shumë bisedime dhe natyrisht që në qendër të këtyre bisedimeve ka qenë situata në Shqipëri, patjetër që kanë qenë protestat dhe këto janë primare për situatën politike në Shqipëri.

Çuditërisht nuk preken fare në deklaratat publike që u bënë, si nga presidenti i Francës ashtu edhe nga Rama. Pra, do të ishte qesharake të mendonim që presidenti Macron ka pritur Ramën dhe nuk ka biseduar fare për situatën politike në Shqipëri, nuk ka biseduar fare për protestat dhe nuk ka biseduar fare se cila do të jetë e ardhmja e Ramës në mes të këtyre protestave. Prandaj thashë që ne nuk mund ta paragjykojmë këtë takim dhe të themi që vetëm ka qenë një takim puç-puç mes të dyve, por ka pasur dhe mesazhe të tjera të cilat janë të koduara politikisht.Besoj jam dakord 100% me ambasadorin në këtë rast.

Ai po kthehet në një kufomë politike jo më vetëm për Shqipërinë, por edhe për ato partnerë të komunitetit ndërkombëtar të cilët i mashtronte dikur sikur ishte shpëtimi i Shqipërisë apo i rajonit. Po ka një moment shumë të rëndësishëm për ta parë edhe këtë në funksion të kësaj që po shihni në këtë rast të kësaj kufome politike të shitet te ndërkombëtarët. E tërë kjo po shitet në fakt që Rama qëndron në pushtet së bashku me Vuçiçin…

Kuptohet, kishin marrëdhënie shumë të mira në atë kohë me Prishtinën, kishin marrëdhënie shumë të mira me Shkupin, krijuan atë Ballkanin e Hapur, po ishte në funksion të një garantimi të atij pushtetit afatgjatë të tyre. Po shikoni çfarë po ndodh sot.Pra, shikoni se çfarë ndodh sot. Si Rama në Shqipëri, si Vuçiç në Serbi, po konsiderohen si faktorët më të rëndësishëm të destabilitetit të këtij rajoni. Në Shqipëri kemi parë protestat më të mëdha të këtyre 35 viteve të fundit. Mbi 200 mijë njerëz kanë zbritur në shesh. Mos kujtoni se ato njerëz vijnë në një moment që nuk arrijnë pika e vlimit dhe do të qëndrojnë po ashtu.

Mos harroni se kemi të njëjtat protesta të shtuara, kanë filluar po prapë të njëjtat protesta, qindra mijëra në Serbi, kundër Vuçiçit nga ana tjetër. Shikoni marrëdhëniet e tyre në rajon. Zero marrëdhënie me Prishtinën, zero marrëdhënie me Shkupin. Pra, këta që ishin dikur Ballkani i Hapur, këta që ishin dikur faktorët e stabilitetit, tashmë janë kthyer në faktorët e destabilitetit në radhë të parë për vendet e tyre dhe pastaj për rajonin. Dhe mos harrojmë që po përfshihen edhe në organizimin e protestave që synojnë destabilizime dhe ngërçe politike si në Prishtinë ashtu dhe në Shkup.

Prandaj, sot përgjigja ndaj Ramës është një përgjigje që po vjen nga i gjithë kombi shqiptar. Janë bashkuar të majtë, të djathtë, janë bashkuar radikalë të majtë dhe të djathtë, të gjithë në këtë protestë. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë.

Dhe qëllimi është vetëm një: largimi i Ramës. Kjo protestë është më e madhe se një individ, është më e madhe se një parti politike. Ky është kombi që është ngritur i gjithë. Gjithë shqiptarët kudo që janë nëpër botë po vijnë me makina po vijnë në Shqipëri të protestojnë, s’ka ndodhur asnjëherë më parë kjo. Kjo mjafton për të kuptuar se çfarë është Rama sot, ai është një kufomë politike.

About Redaksia

Check Also

Protestat/ Dhoma Amerikane e Tregtisë mesazh Ramës: Të luftohet korrupsioni dhe të rritet dialogu

Teksa vendi është përfshirë në protesta masive antiqeveritare prej 24 ditësh, një mesazh i fortë …