Nga Bujar Leskaj
Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2013 kishim 50 mijë maturantë. Në vitin 2025 kishim më pak se gjysmën, vetëm 23.5 mijë. Maturantët e vitit 2025 janë brezi i lindur kryesisht në vitet 2006–2007.
Studimi i fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, cilëson se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç deri në vitin 2050. Ky ritëm është dy herë më i lartë, nga ai i humbjes së të rinjve në vendet e rajonit tonë.
Në këto 13 vjet, të rinjtë na janë larguar me ritëm të tillë shkatërrues për të ardhmen e shoqërisë sonë, për shkak të papërgjegjshmërisë ekstreme dhe indiferencës vrastare të sektit Rama në pushtet.
Sipas studimit të OKB-së, në vitin 2012, Shqipëria numëronte rreth gjysmë milion të rinj (484 mijë), ndërsa pas dy dekadash e gjysmë, me ritmin e sotëm të largimit të të rinjve, kjo shifër do të arrijë në vetëm 195 mijë, duke vënë në dilemë ekzistencën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kombet e Bashkuara vërejnë se nga 225 vende të botës, Shqipëria klasifikohet e treta në botë, për tkurrjen e numrit të të rinjve në dekadat në vijim.
Kur një vend humbet në mënyrë të vazhdueshme të rinjtë dhe familjet e reja, pasojat shfaqen fillimisht në shkolla, më pas në universitete, në tregun e punës dhe në fund në të gjithë strukturën ekonomike e shoqërore. Shqipëria po humbet me shpejtësi kapitalin e saj njerëzor.
Në të gjitha qytetet dhe fshatrat shqiptare është bërë e zakonshme të shohësh klasa me më pak nxënës, universitete me më pak studentë dhe biznese që ankohen për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Kjo tregon se emigracioni masiv nuk është më vetëm zgjedhje individuale, por fenomen me ndikim kombëtar.
Të rinjtë janë burimi më i rëndësishëm i zhvillimit. Ata përbëjnë forcën e ardhshme të punës, sipërmarrësit, profesionistët dhe kontribuuesit në sistemin e pensioneve dhe në konsumin e vendit. Kur numri i tyre përgjysmohet, vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore, vështirësi në zhvillimin ekonomik dhe presion më të madh mbi sistemet sociale.
Shumë të rinj largohen, jo vetëm për shkak të mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit, edhe pse pagat më të larta, siguria sociale, arsimi cilësor dhe perspektiva profesionale në vendet e BE-së vazhdojnë të ushtrojnë një tërheqje të fortë. Ata shprehin bindjen se avancimi profesional nuk varet gjithmonë nga aftësitë dhe puna, por gjithnjë e më shpesh, nga lidhjet politike, ose klienteliste. Kjo krijon zhgënjim dhe humbje besimi tek qeverisja dhe institucionet publike. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e të rinjve largohen nga pamundësia për gjetjen e një vendi pune dhe bërje karrierë, nëse nuk je patronazhist, ose nuk i ke prindërit me lidhje me sektin Rama ne qeverisje.
Kur tetë në dhjetë të rinj e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë, kjo tregon se besimi tek mundësitë brenda vendit ka rënë thuajse plotësisht. Dhe fajtor tërësor për këtë brerje totale besimi është sekti Rama dhe mënyra e tij e qeverisjes.
Përgjysmimi i maturantëve të Shqipërisë dhe shifrat e studimit të OKB-së nuk pasqyrojnë vetëm zgjedhjet e të rinjve, por edhe vendimet e prindërve të tyre. Kur familjet emigrojnë, largohen bashkë me fëmijët që do të ishin nxënës, studentë dhe profesionistë të së nesërmes në vend.
Sekti Rama ka dështuar të sigurojë meritokraci në punësimin në administratën publike, mundësi reale karriere, strehim të përballueshëm për të rinjtë, besim tek institucionet dhe siguri për të ardhmen. Largimi i të rinjve ndikon drejtpërdrejt negativisht në numrin e studentëve në universitete, në fuqinë punëtore të ardhshme, në sistemin e pensioneve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ka një dekade që Shqipëria po përballet me mungesa serioze të kapitalit njerëzor në sektorë kyç të ekonomisë.
Largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria përbën një nga “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në pushtet. Edhe pse emigracioni nuk është një fenomen i ri për shqiptarët, ritmet e largimit gjatë 13 viteve të fundit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e vendit, të vërtetuara katërcipërisht nga raportet ndërkombëtare, si ky i fundit i Divizionit të Popullsisë në Kombet e Bashkuara.
Gazeta RD