Nga Ina ZHUPA
I dashur Reinier,
Nëse qëllimi yt ishte tronditja, ia arrite plotësisht, me këtë letër që nxin mes shoqesh, tek libri Dosjet Shqiptare. Por të mos jem e padrejtë: letra jote i bëri shqiptarit të mirë e të zakonshëm, si dhe atij të jashtëzakonshëm, një shërbim që rrallë e bën ndonjë i huaj me kaq mirëdashje.
Tek ty dhe te ngjashëm me ty, shpesh përfytyrohen mendje të lira, plot vlera e vyrtyte, dritë e civilizimit që na ndriçon nga errësira jonë ballkanike, frymëzim për këtë provincë që ëndërron të bëhet metropol evropian. Pritëm me padurim që një dritë e tillë të na vijë nga ty o arkitekt i huaj.
Na u shfaqe, të pamë, dhe na erdhe vrazhdësisht i vockël, sa patronazhisti i lagjes — ai që, me skuthllikun mjeran, beson sinqerisht se ia ka siguruar paq bukën e gojës fëmijëve të vetë.
Një e zakonshme si unë kishte menduar se ti i kishe hyrë më thellë jetës: se ishe në kërkim të bukurisë, të së vërtetës, ndoshta edhe thjesht të arkitekturës së mirë. Por jo. Ti paske dashur vetëm një kryeministër gangster. Le të ishte autokrat, mjafton të ishte mbreti yt personal.
Aty ku mund të të kisha falur këtë dobësi të zakonshme njerëzore, ti e shtyve më tej. Më çove drejt “autokracisë mirëbërëse”, a thua se historia e njerëzimit nuk është e mjaftueshme për të mësuar se gjë e tillë s’ka ekzistuar kurrë, as si be, as si premtim, as si gabim historik që meritonte një shans të dytë.
Të Imagjinoj teksa shkruan, në mjedisin tënd natyror: Hollandën, ku ti jeton e gëzon të mirat e një demokracie që e detyron qeverinë t’i japë llogari në zgjedhje sa herë s’i përmbush premtimet. Shkolla cilësore, spitale jetëshpëtuese, rrugë e toka që nuk përmbyten nga shiu që mezi pushon mbi kokën tënde. Ushqime që nuk helmojnë, edhe pse, pranoj, pa receta mesdhetare. E vetmja e metë e madhe e këtij sistemi qenka se s’të ka ofruar kurrë një autokrat — një mbret personal, mirëbërës, që të të çlironte nga barra e zgjedhjeve të lira dhe të të jepte fuqi të pakontrolluar për të shfrenuar imagjinatën arkitekturore.
Këtë fuqi, me sa duket, e ke gjetur më lehtë në Mangalemin tonë AliDems. Në një bllok pallatesh, banorët e të cilit numërojnë qindarkat për të mbyllur muajin, duke u lutur që Zoti të jetë i mirë e të mos i sprovojë me ndonjë shpenzim të papritur, qoftë dasmë, a sëmundje.
Po të pyes si një nxënëse naive auditoresh europiane: A ia vlen shtypja për një projekt arkitektonik? Cilën kryevepër botërore konkuron sot mangalemi yt, që na magjeps kaq fort sa të na bëjë të urojmë vetë zinxhirët?
Dhe nga buroi, pyes me sinqeritet të plotë, ky guxim donkishotesk për ta botuar këtë letër, që, ngjan më shumë si rrëfim dashurie i shkruar nga një Romeo poshtë ballkonit të Xhuljetës së tij, sesa si mantra politike e një profesionisti serioz?
Në librat e tu, ti thua se profesioni i arkitektit është kthyer në një mjet kompromisi moral, shpesh i përfshirë pa vetëdije në pastrim parash. Uroj që t’u kthehesh përsëri shkrimeve të tua. E më pas të na ndriçosh nëse ti vetë u përfshive me apo pa dije në lavatriçen ediane të pastrimit.
Mirëmbeç në kërkim të autokratit tënd mirëbërës!

Gazeta RD