Analisti Fatos Lubonja mendon se Evropa e ka kuptuar se Shqipëria është kthyer në një narkoshtet dhe nuk mund ta pranojë në BE edhe pse ka shkaqe gjeopolitike, pasi vendi po grabitet nga pushtetarët kriminelë.
I ftuar në studion e News24 ditën e sotme, ai analizoi protestat qytetare dhe revoltën e shqiptarëve ndaj qeverisë në një muaj pa ndërprerje, duke i cilësuar të suksesshme dhe që e kanë dhënë mesazhin e tyre, teksa kërkoi më shumë aktivitet nga drejtësia.
“Protesta mund të shikohet në shumë nivele. Për mua niveli bazë është një kryengritje e popullit shqiptar kundër një sistemi ku është ndjerë i përjashtuar në vendimmarrje. Njerëzit atje kanë pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e progresin apo të tjera, ata i bashkon ndjeria të fyer në dinjitet dhe përjashtimi nga vendimmarrja.
Po i përjashton përditë, po i vjedh tokat, po i nxjerr jashtë Jonit dhe Adriatikut, po i zapton pyjet e të tjera. Sensibilizimin brenda dhe jashtë vendit e ka arritur në mënyrë të suksesshme kjo protestë. Shqipëria në fakt është pasqyra më e tmerrshme e këtij sistemi. Ndaj njerëzit kërkojnë dorëheqje, qeveri teknike, largimin e qeverisë dhe një sistem tjetër”, tha Lubonja mes të tjerash.
Më tej ai tërhoqi vëmendjen duke iu referuar edhe faktit se eurodeputetët po vijnë në Shqipëri të dëgjojnë nga afër qytetarët dhe të vlerësojnë alarmin për gjendjen e kriminalizuar të shtetit.
“Ata duan të fusin një narkoshtet në Evropë për qëllimet e tyre, qofshin edhe gjeopolitike dhe kjo është e papranueshme për shqiptarët. Kjo është disaster edhe për Evropën vetë se po pranojnë një narkoshtet dhe ne jemi narkoshtet dhe tani e kanë kuptuar”, tha ai.
Lubonja pati edhe një apel për drejtësinë, duke kërkuar që të veprojë më shpejt, pasi Prokuroria ka gjetur prova për shkelje e skandale të rënda.
“Koncepti tjetër i brendshëm është se nëse kemi një shtet kriminal të tillë që ka bërë ligje ad-hoc për të grabitur Shqipërinë dhe për t’ia dhënë një grupi njerëzish, duhet të hetojë drejtësia. Dhe drejtësia na e ka provuar, e kam fjalën për Prokurorinë se vendimin e jep Gjykata, pra e ka provuar, ka nxjerrë prova të qarta dhe çfarë presin këta, nuk kanë vepruar akoma? Presin të masakrohet populli i tërë.
Përse e kemi drejtësinë, e kemi pikërisht që të na pengojë dëmet që na bëjnë kriminelët, nëse kriminelët bëjnë dëme dhe janë në krye të shtetit dhe nuk i arreston atëherë ata bëhen palë, bashkëpunëtorë me kriminelët. Nuk jemi në regjimin e Enver Hoxhës. Kjo ndershmëri duhet të shkojë më e fortë atje akoma”, tha analisti.
Gazeta RD