Noka: Jeni në bashkëqeverisje me krimin! Ju jeni armiqtë e Shqipërisë!

Tensionet dhe akuzat e ashpra kanë dominuar seancën e fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Deputeti Flamur Noka duke akuzuar mazhorancën e cilësuar atë si “narkorilindje” dhe armikun e vërtetë të qytetarëve. Gjatë fjalës në foltore, u bë një lidhje e drejtpërdrejtë mes kërkesave të qytetarëve që po protestojnë prej javësh dhe betejës 13-vjeçare të opozitës kundër korrupsionit qeveritar.

Sipas deklaratave të deputetit demokrat, ligjet e miratuara nga qeveria, si ai për investimet strategjike dhe paketa e maleve, nuk janë gjë tjetër veçse një skenar i mirëfilltë për rrëmbimin e pronave publike. Në fjalim u përmendën raste specifike, duke shënjestruar modelin e investitorëve strategjikë si një formë për të pasuruar oborrtarët dhe zyrtarët e pushtetit, ndërkohë që qytetarëve të thjeshtë u vidhet pasuria.

Një nga momentet më të forta të fjalimit ishte denoncimi i aparatit shtetëror dhe atij policor. U theksua se institucionet e sigurisë po përdoren me mllef për të gjurmuar dhe shantazhuar protestuesit dhe familjarët e tyre, ndërkohë që kriminelët dhe kartelet e drogës bashkëqeverisin të pashqetësuar.

Flamur Noka: I mirëkuptojmë edhe disa Sorrosistë, sepse Sali Berisha është armiku i Sorrosit, pa diskutim. Nuk na shqetësojnë fare. Qëllimi është një, të largojmë këtë të keqe që ka kapluar prej 13 vitesh Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne jemi në mbështetjen tuaj pasi pesë kërkesat tuaja nuk janë asgjë më shumë sepse kërkesa jonë prej 13 vitesh. Këtë betejë që ju protestues po e bëni prej 30 ditësh, e ka bërë Partia Demokratike prej 13 vitesh. Që në fillimet e pushtetit të narkorilindjes, ne kemi drejtuar gishtin se këta po kriminalizojnë shtetin. Këta po e narkomanizojnë shtetin. Ju sot ato po thoni. Ne kemi kërkuar prej kohësh dhe kemi bërë betejë në këtë parlament për të shfuqizuar, për të mos lejuar të kalojë ligji i investimeve strategjike. Pse? Sepse ligji i investimeve strategjike është rrëmbim, pronë e pasurie të shqiptarëve, pasurisë publike në bregdet për t’ia dhënë oborrtarëve dhe zyrtarëve të qeverisë. Olta Xhaçka, modeli i investitorit strategjik të Edi Ramës dhe të rilindjes.

Ne kemi bërë betejë këtu. Dhe rikujtoj, kemi bërë betejë kjo parti demokratike, kjo opozitë. Ndaj sot jemi me ju dhe ju mbështesim. Ne kemi bërë betejë këtu edhe për paketën e maleve, të famshmen paketë të maleve. Ndaj sot mbështesim këtë kërkesë tuaj. Çfarë është? Rrëmbim pasurish publike për t’ia dhënë oborrtarëve apo zaptuesve, oligarkëve apo ndonjë karagjozi që e shpall rastësisht sipas oreksit të vet Edi Rama investitor strategjik. Për t’ju dhënë pasuritë tuaja.

Prandaj ne kemi bërë betejë. Dhe prandaj sot ju mbështesim sepse sot ju po artikuloni të njëjtat kërkesa që kemi artikuluar ne prej 13 vitesh. Ne kemi kërkuar që të shfuqizohet kuadri ligjor, ndryshimet në kuadrin ligjor për trashëgiminë kulturore. Pse? Sepse pas çdo ndryshimi ligjor, banda e pushtetit ka vetëm një skenar të fshehur. Të vjedhë, të rrëmbejë pronat publike, t’i shpërndajë ata tek rrethi dhe tarafi i tyre vetëm për vota dhe për elektorat. Për asgjë tjetër.

Pra asgjë, asgjë që ka kaluar në këtë parlament nuk ka të bëjë me të mirën publike. Asgjë që ka kaluar në 13 vjet në këtë parlament nuk ka të bëjë me interesin e qytetarëve dhe të shqiptarëve të thjeshtë. Çdo gjë ka të bëjë me një skenar kusarësh për të vjedhur dhe rrënuar gjithçka në këtë vend. Pra, këto janë kërkesat tuaja legjitime. Këto ne ju mbështesim, sepse ju i keni rimarrë.

Sepse kur ne i artikulonim, na thonin që ju po bëni betejë politike për karrigen tuaj. Tashmë janë qytetarët që artikulojnë ato që kemi artikuluar ne prej 13 vitesh. Pra, nuk e bëjnë për karrige, e bëjnë sepse kjo është e drejta. E bëjnë sepse edhe ata qytetarë që ju kanë votuar dhe ju kanë mbështetur ju, kanë kuptuar se ju jeni kusarë dhe jeni horra. Dhe çfarë ndodh tani? Tani shikoni, kanë ngritur ekipe.

Ngre Hyseni, shërbimin në këmbë. Ngre ky ushtari i Tan Leprit dhe Oltion Bistrit, Skënder Hita, e ngre policinë në këmbë. Ngrihen të gjithë në këmbë për të hetuar dhe gjurmuar protestuesit, lidhjet familjare të tyre. Po mirë, prej 13 vjetësh, si nuk i pa kush të ngrejë në këmbë shërbimin, policinë kundër krimit të organizuar dhe karteleve? A e dini gjë? Aq mllef sa po ushtron ky shtet ndaj protestës dhe protestuesve, pse nuk e ushtroi qoftë edhe një herë të vetme kundër krimit dhe kriminelëve?

Sepse këta kanë një të përbashkët. Janë në bashkëqeverisje dhe karteleve dhe krimit i kanë dhënë gjithçka. Këto kulla çfarë janë? Ato janë. Të dashur protestues, qytetarë dhe qytetare të këtij vendi. Nuk ka ndodhur… kanë filluar të shpallin edhe non-grata protestuesin. Me idenë që janë ashtu, janë kështu, po mor po. Kur dolën ashtu… sepse kanë filluar të shpallin tashmë armiq të brendshëm, armiq të jashtëm. Vetëm te vetja nuk e shohin armikun.

Në fakt po ju them një gjë, gjeni një pasqyrë dhe shihni veten. Ju jeni armiku i kësaj shoqërie shqiptare. Ju jeni armiqtë e Shqipërisë. Askush tjetër përveç jush nuk është armik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe askush tjetër përveç Edi Ramës dhe jush nuk ja ka bërë këtë gjëmë Shqipërisë. Ndaj, lexojeni çfarë thotë Vuçiç, dorëheqjen e tij, ndiqni shembullin, sepse në kosh të plehrave do të përfundoni shumë shpejt. Asgjë nuk e ndal revoltën e shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Presion për të mos votuar/ Zbardhet emaili skandaloz i Ramës për eurodeputetët

Zbardhet emaili drejtuar deputetëve të Parlamentit Evropian nga qeveria për të mos votuar dy amendamente …