Përvetësimi i tokës publike nga Bolino/ Këlliçi: Çuditërisht çështjet e opozitës i bien gjyqtares Irena Gjoka

Përvetësimi i një trualli publik Carlo Bolino ka ngritur akuza të forta nga përfaqësues të opozitës, pas mbarimit të seancës së parë në GJKKO.

Në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të GJKKO, deputeti i PD, Belind Këlliçi tha se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 4125 metrash katrorë, e cila fillimisht ishte destinuar për ndërtimin e një shkolle në Njësinë Numër 7 në kryeqytet.

Sipas tij kjo pronë, e cila u përkiste familjeve të njohura tiranase, mes të cilave edhe familja Begeja, është marrë për të ndërtuar mjediset e një televizioni, i cili përdoret rëndom si një mjet për të sulmuar, linçuar dhe shpifur kundër zërave opozitarë që denoncojnë korrupsionin.

Këlliçi theksoi se ka pasur tentativa për të penguar pjesëmarrjen e palës së paditur në proces, duke manipuluar qëllimisht adresën e banimit, në mënyrë që njoftimet e gjykatës të mos mbërrinin në destinacion.

Në vëmendje u soll edhe emri i gjyqtares Irena Gjoka, e cila është caktuar me short për të shqyrtuar këtë çështje, njëlloj si në rastet e eksponentëve të tjerë të opozitës.

“Unë personalisht e kam pritur me shumë kënaqësi këtë moment. Mos harrojmë që media që drejton zoti Bolino ndaj meje personalisht ka vite që sulmon, linçon, ka përmendur familjen, s’ka lënë shpifje pa adresuar ndaj meje, dhe unë nuk e kam trajtuar në asnjë moment këtë çështje personale. Kam folur për një interes publik. Për grabitjen e një trualli publik në mes të Tiranës, për grabitjen e pronës të një familje të nderuar siç është jo vetëm familja Begeja, por dhe disa familje të tjera. Dhe aty ku ishte destinuar ndërtimi i një shkolle për njësinë numër shtatë, ku e kam patur një problem të denoncuar në mënyrë të veçantë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2023, aty në fakt në atë truall, rreth 4125 metër katror, sot është ndërtuar një televizion i cili mban rekordin për sharjen, linçimin, shpifjen dhe goditjen ndaj çdo opozitari në këtë vend, që flet në mbrojtje të interesit publik dhe që denoncon krimin dhe korrupsionin.

Megjithatë, unë e kam pritur këtë përballje në seancë gjyqësore, do të jem në çdo seancë këtu. Nuk jam shmangur në asnjë sekond sikundër që në ditën e parë, që në krye të herës, është përmendur nga televizioni që zotëron zoti Bolino sikur unë qëllimisht nuk vija në seancë, për vetë faktin që zoti Bolino me këto marifetet dhe, tha dihet që nuk janë socialistë, janë specialistë, se dhe ky pjesë e asaj familje është, politike, kishte ngatërruar qëllimisht adresën e banimit tim, dhe kishte vendosur një adresë të gabuar në mënyrë që mua të mos më vinte njoftimi. Unë këtu do të jem, me qetësi olimpike.

Sikundër kam fituar, në mos gaboj, 10 apo 11 procese gjyqësore në këtë gjykatë ku përherë jam shpallur i pafajshëm, jam i bindur që i njëjtë do të jetë dhe vendimi i radhës, edhe pse këtë radhë çuditërisht është gjetur e njëjta gjyqtare. Irena Gjoka Shpata Maneku e cila sa herë ka një opozitar, një çështje në këtë gjykatë, i qëllon shorti për të gjykuar këtë çështje, edhe në rastin tim dhe të zotit Malltezi i ka rënë me short gjykimi i çështjes sonë. Kemi kërkuar të dy përjashtimin e zonjës në fjalë, Irena Gjoka Shpata Maneku, për shkak të konfliktit të interesit dhe mungesës së paanshmërisë. Do t’ja lëmë ditëve në vijim dhe javëve në vijim se si do të zhvillohet kjo çështje gjyqësore”, u shpreh Këlliçi.

About Redaksia

Check Also

Protestuesit qëllojnë me vezë makinën e zëvendëses së Ramës/ Nis dhuna e regjimit

Një situatë e tensionuar është regjistruar mesditën e së martës para Parlamentit. Automjeti i zëvendëskryeministres …