Pamjet e dhunës brutale të policisë ndaj protestuesve paqësorë përpara Kuvendit bënë xhiron e botës. Mes tyre ishte një foto simbol.
Një lukuni policësh sulmonin një të ri 19-vjeçar dhe i hidheshin në shpinë.
Në rrjetet sociale mësohet se i riu është Everest Bardhi, një djalosh që proteston rregullisht që kur ka nisur lëvizja rinore.
Ai është djali i Frrok Bardhit, një infermier i urgjencës i cili u pushua nga puna për shkak se denoncoi kushtet skandaloze të shëndetësisë.
Para dy javësh, vetë Everesti e pati denoncuar këtë gjë teksa po fliste përpara protestuesve.
“Jam Everest Bardhi, 19 vjeç nga Fani i Mirditës. Babi im ka qenë dikur infermier, duke ditur se kush është në krye të vendit Ramoviçi, tek urgjenca e Tiranës, i ka vdekur personi për oksigjen në ambulancë. Njësoj si të ngordhë një peshk për ujë në det. Turp. Kauza e parë për babanë tim”, u shpreh ai.
Ai i është drejtuar edhe kryeministrit, duke theksuar se nuk kërkon hakmarrje personale dhe duke ia lënë, siç tha ai, drejtësinë Zotit.
“I them kryeministrit se nuk do të hakmerrem, të kam lënë të madhin Zot, gjynahet do të t’i kthejë i madhi Zot jo vetëm të babit tim, por të të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Bardhi.
Gazeta RD