Aktivisti: Si në ’90, shqiptarët janë ngritur për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës!

Aktivisti Andi Tepelena mbajti fjalën e tij në ditën e 44-t të protestës para Kryeministrisë, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ai bëri një paralelizëm mes ngjarjeve të vitit 1990 dhe situatës së sotme, duke u shprehur se shqiptarët janë ngritur sërish kundër një regjimi që, sipas tij, po zbraz vendin përmes emigracionit dhe korrupsionit.

Në fjalën e tij, Tepelena vlerësoi edhe qëndrimin e ambasadës gjermane në Tiranë për mbrojtjen e së drejtës së protestës paqësore, duke e cilësuar atë një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare për protestuesit. Sipas tij, protesta qytetare është pjesë e përpjekjes për forcimin e shtetit të së drejtës dhe afrimin e Shqipërisë me standardet europiane.

Tepelena: Nënë dhe motra, dua ta hap duke kujtuar një datë. Sot 36 vjet më parë, ish-partia e punës organizoi atë mitingun e famshëm në sheshin Skënderbej. Ishte lumi, mbeturinat e partisë të cilët fyen një popull të tërë, njerëz shqiptarë që ikën në perëndim drejt lirisë, drejt një jete më të mirë. Ishte shoku Ramiz, shoku Xhelil që na shajtën fundërrinat e kombit e tjerë e tjerë. Por shumë pak muaj më pas, studentët u çuan dhe morën në dorë fatet e vendit, fatet e demokracisë.

Është ajo rini e cila çoi përpara shpresën. Sot pas 36 viteve ndodhemi ende këtu, në një regjim të ri. Në një regjim i cili po i detyron shqiptarët të largohen dita-ditës. Shqipëria po shpopullohet në mënyrë dramatike. Fshati është boshatisur. Shqiptarët shkojnë dhe nuk kthejnë kokën më mbrapa. Por ka një muaj që ka lindur një shpresë e madhe.

Qytetarët shqiptarë, rinia, janë ngritur për të shporrur sërish këtë regjim. Aty ku e lamë në 91-shin! Janë këta të rinj që jetojnë këtu, të diasporës që mezi presin t’i çlirohet ky sistem korruptiv, që të rrëzohet kjo kastë politike që po mban peng zhvillimin e vendit. Shqipëria është e mbushur me të rinj me talente, me sipërmarrës të talentuar, në fushën e inxhinierisë, mjekësisë, kudo. Dhe janë ata që do marrin fatet e vendit në dorë.

Po, në 90-tën, shtetet mike të vendeve perëndimore i nxitën shqiptarët që të largoheshin nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Ndër ta ishte dhe patjetër Gjermania. Sot pas 36 vjetësh, Gjermania është në krah të shqiptarëve. Dhe dua t’ju lexoj një lajm nga Shqipëria. Për herë të dytë brenda pak ditësh, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner ka riafirmuar publikisht rëndësinë e protestës paqësore si një e drejtë themelore demokratike.

Deklarata vjen në një moment kur Shqipëria po përjeton javë të tëra mobilizimesh qytetare, ndërsa debati mbi shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike është kthyer në qendër të vëmendjes. Në një njoftim të publikuar pas takimit me drejtoreshën ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj në datë 9 korrik, ambasada gjermane vlerësoi punën e shumanshme të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

Në qendër të diskutimeve ishte liria e tubimit, një nga të drejtat themelore të garantuara nga standardet europiane. Kjo deklaratë është një mbështetje e qartë për protestat paqësore që po zhvillohen në Tiranë prej më shumë se një muaj. Demonstruesit kërkojnë forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e mjedisit. Duke i paraqitur këto kërkesa si pjesë të standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë drejt rrugës të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Edhe një herë brenda pak ditësh, Berlini riafirmon një parim që qëndron në themel të demokracive europiane: mbrojtjen e lirisë së tubimit, të protestave, rolin e shoqërisë dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ky është një lajm shumë i mirë sepse vjen nga shteti më i fuqishëm i Bashkimit Europian, mbështetje totale për të drejtën e protestës, për protestuesit që prej 44 ditësh protestojnë kundër klikës, kundër Ramës, të kastës politike. Rroftë demokracia, rroftë Bashkimi Europian, rroftë Gjermania, rrofshin miqtë tanë aleatë!

About Redaksia

Check Also

Berisha ndan pamje nga Asambleja e IDC-CDI në Bruksel

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë në rrjetet e tij sociale një video …