Diaspora shqiptare ka paralajmëruar protestë të martën, më 14 korrik, në Bruksel, në një ditë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, kur zhvillohet konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Tubimi pritet të mbahet përpara institucioneve të BE-së, ku organizatorët synojnë të përcjellin shqetësimet e tyre për situatën politike në vend.
Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit thonë se do të kërkojnë vëmendjen e institucioneve evropiane ndaj çështjeve që lidhen me funksionimin e demokracisë, pavarësinë e institucioneve dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Sipas organizatorëve, procesi i afrimit me Bashkimin Evropian nuk duhet të shihet vetëm si një rrugëtim teknik, por duhet të shoqërohet me reforma reale dhe respektim të parimeve demokratike.
“Ju bëj thirrje të lajmëroni miq dhe shokë, të afërm që jetojnë në zonat përreth Beligjikës të bashkohen me shqiptarët e tjerë përpara institucionit të BE ku do të mbahet konferenca ndërqeveritare. Tu tregojmë fytyrën e vërtetë dhe se çfarë duan më të vërtetë shqiptarët. Nuk gënjehemi me propagandën që duan të na sjellin nga Brukseli. Jemi ne të parët që duam BE por nuk e duam vetëm për një leje pune por që të jetojmë me dinjitetin e europianëve dhe në vendin tone”, u shpreh protestuesja.
Gazeta RD