Mario Rruna: Doktor Berisha, raporti i Komisionit Europian për shtetin e së drejtës ngriti shqetësime për rastin Beleri, imunitetin parlamentar dhe pengimin e hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë. A prisni që Bashkimi Europian të ushtrojë presion real, apo vetëm protestat e fuqishme qytetare mund ta detyrojnë drejtësinë të veprojë?
Sali Berisha: Mario, edhe një herë dua të falënderoj komisionerin MacGreth dhe ekipin e tij për raportin objektiv që kanë hartuar dhe firmosur për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe unë mund t’ju them ju se kjo shënon një hap shumë të rëndësishëm. Një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju siguroj se ky është një hap i parë dhe se opozita shqiptare do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian siç ka bërë gjer sot. Natyrisht, të dyja format janë të domosdoshme.
Një dialog intensiv me Bashkimin Europian, institucionet e tij, komisionin, parlamentin, vendet anëtare, është i domosdoshëm, qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të paraqitur realitetin shqiptar siç është.
Por nga ana tjetër, e kam theksuar dhe e theksoj, se protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.
Gazeta RD