Seanca e radhës plenare është përfshirë nga tensione dhe debate të ashpra lidhur me mënyrën se si po menaxhohet kalendari i punimeve dhe rendi i ditës. Opozita ka lëshuar akuza të rënda drejt drejtuesve të seancës, duke i bërë përgjegjës për bllokimin e qëllimshëm të nismave të saj ligjore.
Gjatë fjalës në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi denoncoi praktikën e dyfishtë të maxhorancës, e cila sipas tij po mban peng prej shtatë javësh katër projektligje të propozuara nga opozita. Ai theksoi se këto nisma janë futur në kalendar pa një datë konkrete për seancë plenare dhe po refuzohen të shqyrtohen në komisione.
Kërkesa e panegociueshme e opozitës ishte përfshirja e menjëhershme e katër nismave të bllokuara: shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike, zonat e mbrojtura, paketa e maleve dhe ligji i trashëgimisë kulturore. Kjo lëvizje u kërkua në emër të integrimit europian, për të rikthyer normalitetin në sallën e Kuvendit.
Gazment Bardhi: Faleminderit, zoti Niko Peleshi. Në fakt, zoti kryetar, unë dua të ngre një shqetësim që ju… edhe kjo tregon që ju rendin e ditës e bëni sipas qejfit tuaj, hiqni nga rendi i ditës, fusni në rendin e ditës. Ndërkohë që keni shtatë javë që mbani të bllokuara katër iniciativa të deputetëve të opozitës. I keni futur në kalendarin e punimeve të kuvendit si ligje pa datë për seancë plenare dhe nuk pranoni t’i shqyrtoni në komisionet parlamentare. Ka nisur puna për çdo projektligj të depozituar nga kolegët e maxhorancës, javë më vonë iniciativave të propozuara nga deputetët e opozitës dhe ju pranoni të shqyrtoni këto iniciativa. Fjala vjen, ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë dorëzuar një javë pas iniciativave të dorëzuara nga ne. Ju ato i merrni në shqyrtim në komisione, ndërkohë katër iniciativa të deputetëve të opozitës që përkojnë edhe me detyrime që ne kemi në kuadër të procesit të integrimit, nuk pranoni t’i shqyrtoni.
Dhe kjo, zoti kryetar, është një cënim i rëndë i parlamentarizmit. Ju nuk mund t’i trajtoni deputetët ca të nënës dhe ca të njerkës. Iniciativat tuaja i fusni dhe i shqyrtoni apo i hiqni nga rendi i ditës sipas qejfit, ndërkohë dhe katër ligje që presin prej javësh të shqyrtohen, që janë iniciativa të deputetëve të opozitës, refuzoni t’i shqyrtoni. Prandaj kërkesa jonë është, meqënëse hoqët për hatër të integrimit një projektligj, të fusni për hatër të integrimit katër projektligjet tona: ligjin për shfuqizimin për ligjin e investimeve strategjike, zonat e mbrojtura, paketën e maleve dhe ligjin e trashëgimisë kulturore, që kjo seancë dhe ky parlament të kthehet në normalitet.
Gazeta RD