Kur Maslow zbriti në shesh?!?

Nga Bislim AHMETAJ
🔹️U desh të merrte fjalën në protestë një djalosh kërthi, ndoshta ende pa e provuar plotësisht jetën e as kënaqësinë e aktit seksual, që propaganda të gjente alibinë për t’iu vërsulur protestës më dinjitoze që shqiptarët kanë zhvilluar që pas viteve ’90.
Me naivitetin e moshës, ai artikuloi atë që në të vërtetë është thelbi i teorisë së motivimit të Abraham Maslow, një prej mendjeve më të mëdha të shkencave humane.
Maslow na mëson se askush nuk mund të ngjitet drejt lirisë, dinjitetit, demokracisë apo vetërealizimit pa plotësuar më parë nevojat bazike: bukën, ujin, strehën, sigurinë dhe vazhdimësinë e jetës.
🔹️Nëse fjalët e djaloshit do të dëgjoheshin me humanizëm e jo me ligësi politike, ai nuk kërkonte asgjë më shumë se të drejtën për të jetuar si njeri.
Të kishte bukë në sofër, një çati mbi kokë, mundësinë për të krijuar familje dhe për të mos u zhdukur si individ, si brez e si komb.
🔹️Pikërisht këtë dramë e dokumentojnë prej vitesh raportet e Bankës Botërore, Kombeve të Bashkuara, Eurostat-it dhe INSTAT-it.
🔹️Por regjimit nuk i intereson varfëria; i intereson propaganda. Prandaj nuk sulmuan problemin, por viktimën.
Nuk debatuan me realitetin, por tallën djaloshin.
Nuk kundërshtuan argumentin, por tentuan të vrisnin simbolin, duke besuar se bashkë me të do të vdiste edhe protesta.
🔹️Sa ironi!
EdiMarrja e ka harruar se edhe vetë ka jetuar dikur në fundin e piramidës së Maslow-t.
Ka harruar netët e Parisit, kur pikturat i shkëmbente për një sanduiç ose për një strehë të përkohshme.
Ka harruar se ishte Fatos Nano ai që e nxori nga pasiguria, i dha status, pushtet dhe mundësinë të ngjiste pa mundim të gjitha shkallët e piramidës së Maslow-t.
Sot, nga maja e pushtetit, ai tallet me ata që ende luftojnë për shkallën e parë.
Prej më shumë se tridhjetë vitesh, shqiptarëve u janë grabitur mundësitë, shpresa dhe dinjiteti.
U janë boshatisur shtëpitë, u janë larguar fëmijët, u janë mbyllur ëndrrat.
Dhe megjithatë kanë duruar.
🔹️Sot nuk durojnë më.
Prej pesëdhjetë ditësh sheshet mbushen me qytetarë.
Dikush proteston për bukën, dikush për shtëpinë, dikush për fëmijët që i ka në emigracion, dikush për drejtësinë, dikush për lirinë, dikush për flamurin dhe dinjitetin.
Të gjitha këto janë hallka të së njëjtës piramidë njerëzore.
Kush tallet me nevojat bazike të njerëzve, tallet me vetë qenien njerëzore.
Për këtë arsye është e kotë të përpiqeni ta reduktoni këtë lëvizje te fjalët naive të një djaloshi.
🔹️Ai nuk është problemi.
Ai është pasqyra ku shfaqet drama e një brezi të tërë.
🔹️Harrojeni.
Koha kur propaganda mbyste të vërtetën ka marrë fund.
Mund të mobilizoni televizionet, portalet, patronazhistët dhe çdo makineri baltosjeje, por nuk mund të ndalni një popull që ka vendosur të ngrihet në këmbë.
🔹️Çdo natë, rrugët e Tiranës jehojnë të njëjtën thirrje:
“Ju erdhi fundi!”
Dhe historia ka treguar gjithmonë se kur një popull arrin ta thotë këtë pa frikë, fundi i pushteteve që nuk dëgjojnë qytetarët është vetëm çështje kohe.
Tiranë me 19 Korrik 2026
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

About Redaksia

Check Also

Protesta qytetare në ditën e 51-të dhe maxhoranca ende nuk reagon!?

Nga Bujar Leskaj Protesta qytetare sot ka hyrë në ditën e saj të 51-të rradhazi. …