Pse numrat nuk e zbehin protestën

Nga Luçiano BOÇI
Ka një entuziazëm diabolik tek disa përfaqësues e banakierë mediash të mazhorancës, të cilët mendojnë se historia matet me dron apo kalkulator.
Mmedojnë e transmetojnë se një protestë vlen aq sa njerëzit që numërohen në një mbrëmje dhe se një fotografi ajrore mund të zëvendësojë pulsimin e një shoqërie.
Por protestat nuk janë census, regjistrim popullsie.
Ata që nxitojnë të shpallin fundin e një lëvizjeje sepse një tubim ka më pak pjesëmarrës, ngatërrojnë një moment me një proces. Çdo protestë, pa përjashtim, kalon përmes kulmeve dhe uljeve.
Asnjë lëvizje e rëndësishme qytetare në vendet e kohrat e ndryshme kur është zhvilliar nuk ka mbajtur të njëjtin intensitet çdo ditë. Edhe protestat që ndryshuan historinë e vendeve të tyre patën ditë bosh, lodhje, dyshime por dhe rikthime më të forta.
Pyetja e vërtetë për protestën në ditën e saj të 50 nuk është sa veta dolën sot.
Pyetja është se a ka ndryshuar arsyeja pse dolën?
Nëse korrupsioni vazhdon, arroganca e pushtetit mbetet, padrejtësia nuk është zgjidhur, atëherë edhe protesta mbetet.
E ajo është aty e fortë për këto arsye të forta.
Mund të ndryshojë forma ose dhe ritmi. Por ama shkaku nuk zhduket pse bie numri i njerëzve në një shesh.
Të ngazëllyerit e mazhorancës ngatërrojnë keq heshtjen me pajtimin. Mungesën e turmës me mungesën e zemërimit. Dhe harrojnë thelbësoren, pasi një protestë nuk matet vetëm me këmbët që ecin në bulevard.
Matet me bisedat që zhvillohen në familje, me frikën që pushteti përpiqet të fshehë, me energjinë që detyron propagandën të justifikohet çdo ditë. Matet me faktin që qeveria ndien nevojën të merret me të edhe kur pretendon se ajo ka mbaruar.
Matet me agresivitetin qe tregon ndaj atyre qe e mbështesin dhe pasqyrojnë protestën.
Nëse protesta do të ishte vërtet e parëndësishme, pushteti do ta injoronte. Nuk do të mobilizonte kamera, analistë, tatime, polici, statistika dhe deklarata për të provuar se ajo ka dështuar.
Askush nuk lufton me atë që e konsideron të vdekur.
Por e kundërta ndodh. Pushteti po lufton me atë që është gjallë.
Prandaj, numrat janë të rëndësishëm dhe nuk janë gjithçka. Ata tregojnë sa njerëz ishin në shesh. Nuk tregojnë sa njerëz janë zhgënjyer, sa besim është humbur e sa gjatë mund të mbahet nën presion një shoqëri.
Shpeshherë, revoltat nuk fitojnë kur arrijnë numrin maksimal. Fitojnë kur arrijnë pikën ku pushteti kupton se nuk mund ta qeverisë më realitetin vetëm me propagandë.
Numrat mund të lëkunden. Shkaku, jo.
Dhe për sa kohë shkaku mbetet, protesta nuk është zbehur. Ajo thjesht është duke marrë frymë, për t’u rikthyer sa herë që pushteti kujton se fotografia e një dite është fotografia e historisë. Historia, fatmirësisht për qytetarët dhe fatkeqësisht për propagandën, nuk është kaq e lehtë për t’u numëruar.

About Redaksia

Check Also

Kur Maslow zbriti në shesh?!?

Nga Bislim AHMETAJ U desh të merrte fjalën në protestë një djalosh kërthi, ndoshta ende …