Rama zgjedh njeriun e Ulsi Manjës në krye të KPP

Teksa qytetarët jashtë kuvendit protestonin kundër një sistemi të korruptuar qeverisës, brenda seancës së sotme parlamentare ka pasur shkëndija të një konflikti të tensionuar me klaneve rivale në Partinë Socialiste, që u reflektua në votimin për kreun e ri të Komisionit të Prokurimit Publik.

Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me ndonjë shqetësim për proçesin e integrimit në Bashkimin Europian, siç jemi mësuar të dëgjohet shpesh nga goja e zyrtarëve socialistë; as për ndonjë projekt madhor dhe as për ndonjë urgjencë për hallet e qytetarëve.

Në qendër të konfliktit është një institucion kyç për tenderat ku qarkullojnë dhjetëra e qindra miliona euro, një strukturë që i jep pushtet dhe para kujtdo që arrin ta kontrollojë dhe që quhet Komisioni i Prokurimeve Publike.

Me 78 vota pro, 3 abstenime dhe 4 vota kundër, Kuvendi zgjodhi Ismail Shehun në krye të KPP-së.

Në garë ishin edhe dy kandidatë të tjerë. Enea Hoti, u tërhoq nga gara, ndërsa kandidatura e Behar Zenelit mori vetëm 2 vota pro, 51 abstenime dhe 31 vota kundër.

Image

Votimi për kandidaturën e Ismail Shehut në krye të Komisionit të Prokurimit Publik

Por një burim nga brenda Partisë Socialiste tregoi për Lapsi.al se votimi nuk ishte një formalitet. Posti e kryetarit të Komisionit të Prokurorimeve Publike ia kishte vënë edhe Ulsi Manja edhe Bledi Çuçi, prandaj për ta ndarë shapin nga sheqeri duhej ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama.

Këtij të fundit iu desh të merret personalisht me kokëfortësi që shfaqi papritur ish-kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi dhe që nuk po zgjidhej dot deri në momentet e fundit.

Ai kishte shprehur kundërshtimin e tij për kandidaturën e Ismail Shehut, duke ditur se kjo ishte një kandidaturë e Ulsi Manjës, e mbështetur në distancë edhe nga Belinda Balluku dhe kishte paralajmëruar se nëse kalonte emri i Shehut nuk do të votonte asnjë projektligj që kërkonte shumicë të cilësuar, duke rrezikuar kështu axhendën e mazhorancës.

Pikërisht për këtë arsye, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu dy herë seancën.

Vetëm pas një bisede kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe Bledi Çuçit, situata u zhbllokua. Pas takimit, Çuçi ndryshoi qëndrim, mori pjesë në votim dhe mazhoranca siguroi votat e nevojshme për të miratuar kandidaturën e Ismail Shehut, si edhe projektaktet që kërkonin shumicë të cilësuar.

Lapsi.al konfirmoi nga një burim i pakonfirmuar se Ismail Shehu ishte kandidati i mbështetur nga Ulsi Manja në prapaskenë. I renditur i pari në listën e kandidatëve, Shehu ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë gjatë kohës kur ajo drejtohej nga Manja.

Në krahun tjetër, Enea Hoti, i cili u tërhoq nga gara në momentet e fundit, konsiderohej si kandidati i mbështetur nga Bledi Çuçi. Hoti identifikohet si një nga njerëzit e afërt të deputetit socialist, çka shpjegon edhe rezervat që, sipas burimeve, Çuçi kishte ndaj zgjedhjes së Ismail Shehut.

Pikërisht për shkak të kokëfortësisë së Bledi Çuçit seanca në kuvend është ndërprerë pasi deputeti socialist, të cilit i ishte premtuar drejtimi i KPP nga njerëzit e tij, ka hequr kartën në mes të seancës në shenjë frustrimi.

Përplasja për kreun e Komisionit të Prokurimit Publik tregon se pas fasadës së luftës kundër korrupsionit me prokurorimet publike, brenda Partisë Socialiste vazhdon gara për kontrollin e institucioneve që kanë ndikim real mbi administrimin e parave publike.

Komisioni i Prokurimit Publik është institucioni që shqyrton ankesat e kompanive për procedurat e prokurimit dhe ka të drejtën të pezullojë, të rrëzojë ose të detyrojë rishikimin e tenderëve me vlera të mëdha. Me një vendim të vetëm, ai mund të zhbllokojë ose të bllokojë kontrata publike me vlerë dhjetëra miliona euro, çka e bën një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit të prokurimeve.

Pikërisht për këtë arsye, drejtimi i KPP-së shihet si një tjetër ‘llokmë’ pushteti në betejën mes klaneve brenda mazhorancës. Ironia është se kjo luftë e brendshme për plaçkën e radhës, zhvillohet ndërkohë që Edi Rama ka premtuar se brenda mandatit të katërt 90% e procedurave të prokurimit do të kryhen me inteligjencë artificiale, duke reduktuar ndërhyrjen njerëzore. Por fakti që ai ndërhyn personalisht për çështje, tregon se sido të vendosë inteligjenca artificiale, Rama do ta ketë një dorë në tavë, për çdo të papritur që mund t’i dalë me miliona e parave publike.

About Redaksia

Check Also

Media spanjolle: Intensifikohen protestat, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës!

Nga Antonio Martin, CADENA SER Rrethinat e Parlamentit të Shqipërisë u bënë këtë të enjte skenë …