Marrëveshja ushtarake me SHBA-të: investim në sigurinë kombëtare

Nga Bujar Leskaj

Marrëveshja e huasë direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (Defense Security Cooperation Agency – DSCA), në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), me një vlerë totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë, përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të kapaciteteve të mbrojtjes të Shqipërisë.

Marrëveshja nuk ka rëndësi vetëm për vlerën financiare që mbart, por edhe për ndikimin e saj në forcimin e kapaciteteve ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë me aleatët e NATO-s dhe konsolidimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

I. Një investim në sigurinë kombëtare

Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009 dhe ka detyrimin të zhvillojë vazhdimisht kapacitetet e saj mbrojtëse sipas standardeve të Aleancës.

Në këtë kuadër, investimet në mjete dhe pajisje moderne nuk janë vetëm një zgjedhje politike, por edhe pjesë e angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.

Një financim i tillë do të kontribuojë fuqishëm në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në zëvendësimin e pajisjeve të amortizuara, në përmirësimin e gatishmërisë operacionale, në rritjen e aftësisë për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe në forcimin e mbrojtjes së territorit dhe infrastrukturës sonë kritike.

Financimi i Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing) është një program i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që synon të ndihmojë vendet partnere në financimin e blerjes së pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve ushtarake amerikane. Ky mekanizëm u jep vendeve partnere mundësinë të sigurojnë pajisje moderne, duke përdorur skema financimi të strukturuara, të administruara në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

Për Shqipërinë, kjo përfaqëson një instrument të rëndësishëm, për të përshpejtuar modernizimin e kapaciteteve ushtarake.

II. Përfitime të qarta strategjike dhe gjeopolitike

Një marrëveshje e tillë sjell përfitime të rëndësishme dhe të qarta për ne.

Së pari, ajo forcon marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Shqipërisë jo vetën në rrafshin politik, por edhe  në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Së dyti, pajisjet e prodhuara sipas standardeve amerikane rrisin ndërveprueshmërinë me forcat e vendeve të NATO-s gjatë stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta.

Së treti, modernizimi i teknologjisë ushtarake do ta përmirësojë ndjeshëm aftësinë e Forcave tona të Armatosura, për të reaguar ndaj sfidave të reja të sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride, mbrojtjen kibernetike, emergjencat civile dhe fatkeqësitë natyrore, për shkak të pajisjeve dhe sistemeve të reja ushtarake moderne që do të financohen dhe sigurohen për Shqipërinë.

Marrëveshja merr një rëndësi të veçantë, në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri më të mëdha, tensione rajonale dhe rritje të investimeve në mbrojtje nga shumë vende të NATO-s.

Në këtë kontekst, modernizimi i forcave të armatosura nuk lidhet vetëm me mbrojtjen kombëtare, por edhe me kontributin që Shqipëria jep për sigurinë kolektive në Evropë.

Për Shqipërinë, një forcë ushtarake më moderne përforcon besueshmërinë e saj si partnere e denjë në Aleancë.

III. Transferimi i teknologjisë dhe zhvillimi institucional

Përtej pajisjeve dhe sistemeve moderne të mbrojtjes, marrëveshja do të shoqërohet me programe trajnimi, mbështetje logjistike, mirëmbajtje dhe zhvillim të kapaciteteve tona njerëzore në mbrojtje.

Kjo do të ndikojë pozitivisht në profesionalizimin e Forcave të Armatosura dhe në rritjen e aftësive teknike të personelit, i cili do të përdorë dhe mirëmbajë pajisjet dhe sistemet e reja.

Marrëveshja shënon një etapë të rëndësishme në transformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Efektiviteti i investimit do të varet jo vetëm nga blerja e pajisjeve dhe sistemeve të reja, por edhe nga integrimi i tyre në strukturat ekzistuese, nga trajnimi i duhur i personelit, nga mirëmbajtja afatgjatë dhe planifikimi i duhur i përdorimit operacional të tyre.

xxx

Marrëveshja për huanë direkte prej 302 milionë dollarësh ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) dhe në kuadër të programit FMF, përfaqëson një hap me rëndësi strategjike për modernizimin e mbrojtjes së vendit dhe forcimin e partneritetit me SHBA-të. Zbatimi i saj kërkon transparencë dhe planifikim afatgjatë. Nëse këto elemente garantohen, investimi mund të rrisë aftësitë mbrojtëse të Shqipërisë dhe të forcojë rolin e saj si një aleate e besueshme në NATO, duke kontribuar njëkohësisht në sigurinë tonë kombëtare dhe në atë rajonale.

V.O.: Kjo marrëveshje natyrshëm gjeti mbështetjen e plotë të Kryetarit të PD-s dhe të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë, por provokimi i Edi Ramës pamundësoi votimin teknik në sallën e Kuvendit, pasi, në bazë të Kushtetutës, ishte taksative që duhej të pritej edhe një javë, për miratimin në seancë plenare. Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Sigurisë dhe Rendit dhe të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, të zhvilluar ditën e sotme datë 27.07.2026, ora 13.30, unë e mbështeta Marrëveshjen dhe e votova. Mosmarrja pjesë në seancën plenare ishte në respekt të vendimit të drejtë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratik, pavarësisht opinionit tim personal. Këtë Marrëveshje me vlera strategjike për Shqipërinë, Edi Rama nuk kishte pse ta finalizonte në një rrugë jo kushtetuese.

 

About Redaksia

Check Also

Alimehmeti: Institucioni i Parlamentit nuk funksionon se nuk do Edi Rama!

Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar …