NATOkontrast

Nga Ilda ZHULALI

Në të gjitha vendet e NATO po zhvillohet një debat serioz e i thelluar mbi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen drejt objektivit të ri prej 5% të PBB-së deri në 2035 (3.5% për mbrojtje thelbësore, 1.5% për siguri e infrastrukturë). Parlamente, ekspertë, media diskutojnë çfarë do të thotë ky kontribut, si do të financohet, dhe ku do të shkojnë paratë.

– Në Britani, Starmer u zotua publikisht për 5%-shin dhe kjo u shoqërua me diskutime parlamentare të gjera.

– Pedro Sánchez i Spanjës tha se objektivi ishte “i paarsyeshëm”, dhe u përball me debate të ashpra.

– Sllovakia deklaroi se do të vendosë vetë ritmin e rritjes së shpenzimeve, pa u diktuar.

– Gjermania paraqiti plan konkret me dyfishim të buxhetit të mbrojtjes, dhe objektiv të qartë për 3.5% deri në 2029.

– Poloni, Lituani, Estoni mbështetën fort rritjen, me ministra që dolën publikisht të shpjegonin pse dhe si.

Në Shqipëri, e gjithë kjo çështje madhore u përmblodh në dy video-meme: atletet e bardha të Ramës në Stamboll, dhe një deputet duke vrapuar nëpër korridoret e Kuvendit, pasi Edi Rama vendosi që marrëveshja të ndjekë një rrugë antikushtetutese miratimi.

Asnjë diskutim përmbajtësor! Asnjë plan afatgjatë! Asnjë debat mbi shifra, prioritete apo mbikqyrje! Pse pikërisht 302 milionë e jo 400, apo 200? Për çfarë do të shkojnë këto para? Kush do t’i administrojë? A do të kenë fatin e fondeve IPARD, të inceneratorëve, të Portit të Durrësit, apo të “anijeve-tigra” të Vlorës?

Pse qeveria nuk pati asnjë plan më parë, dhe pse kjo “urgjencë” vetëm pasi u përfol anullimi i samitit të NATO në Tiranë? Ku është plani afatgjatë i detyrimeve që buron nga anëtarësimi ynë në aleancë? A është kjo hua pjesë e një strategjie afatgjatë mbrojtjeje, apo një lëvizje taktike e minutës së fundit diktuar nga rrethanat?

Këto duhej të ishin thelbi i një seance parlamentare serioze, të një vendi anëtar të NATO. Në vend të kësaj, Edi Rama ofron vetëm shkelje kushtetuese dhe tragjikomedi bajate, si gjithmonë.

About Redaksia

Check Also

Kronika refuzon të shpërndajë kará haberre!

Nga Agron GJEKMARKAJ Kronika qysh ditën e parë i vu qëllim vetes të bëhet zëdhënëse …