Mazhoranca socialiste depozitoi të enjten në Kuvend projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale, ku propozohet reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 njësi vendore me bashkitë më të mëdha brenda qarkut.
Sipas projektit, bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.
Projektligji është një propozim i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i depozituar në Kuvend nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku. Në një letër shoqëruese të projektligjit, Mazniku kërkon që harta e re të dërgohet për konsultim në të gjitha bashkitë e vendit për të marrë qëndrimet e tyre.
Në këtë letër, Mazniku argumenton se reforma nuk përbën një kthim pas nga ndarja territoriale e vitit 2014, por “fazën e dytë të të njëjtit proces reformues”. Sipas tij, ndryshimet demografike, pabarazitë në zhvillimin ekonomik të bashkive dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit europian kërkojnë bashki me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike.
Modeli i propozuar synon të ruajë bashkinë si qendrën e organizimit vendor, por ndryshon organizimin e saj të brendshëm nga skema “Bashki–Njësi Administrative” në “Bashki–Qytet–Njësi Administrative”.
Për çdo qytet parashikohet emërimi i një nënkryetari përgjegjës për koordinimin e shërbimeve, ndërsa këshillat bashkiakë do të riorganizohen për të pasqyruar peshën demografike të qyteteve përbërëse.
Skenarit të shkrirjes së bashkive i parapriu një dokument analitik I hartuar nga ekspertë të PS-së dhe i prezantuar nga Mazniku si punë e Komisionit bipartizan, që u kundërshtua nga opozita.
Analiza bazohet në një metodologji me pesë tregues: funksionalitetin e bashkive, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, distancën nga qendra më e afërt administrative dhe kohezionin social e kulturor.
Raporti konstaton se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me pabarazinë e madhe mes tyre.
Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe afro 40 për qind të të ardhurave vendore, ndërkohë që 47 bashki gjenerojnë secila më pak se një për qind të të ardhurave. Gati gjysma e bashkive rezultojnë nën nivelin mesatar të funksionalitetit, ndërsa shumë njësi të vogla shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë dhe paga, duke lënë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.
Sipas raportit, harta e re duhet të miratohet brenda vitit 2026, në mënyrë që të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe të përgatisë pushtetin vendor për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian.
Bashkitë që shkrihen:
Fushë-Arrëz
Klos
Rrogozhinë
Dimal
Poliçan
Patos
Divjakë
Selenicë
Maliq
Këlcyrë
Memaliaj
Libohovë
Cërrik
Belsh
Prrenjas/Reporter.al
Gazeta RD