Vala e protestave antiqeveritare në Shqipëri, që po vazhdon prej dy muajsh, ka grisur plotësisht fasadën e propagandës së Edi Ramës.
E vërteta e hidhur është se kjo fasadë kishte depërtuar në median ndërkombëtare, por tashmë ajo ka rënë.
Me qindra gazetarë kanë vërshuar në Tiranë dhe po kuptojnë gjithmonë e më shumë se përballë kanë një autokrat arrogant dhe agresiv me median.
Dhe kur kjo ndodh me median e huaj, mund ta paramendosh se çfarë ndodh me median shqiptare.
Një ditë më parë, Edi Rama u tërbua me një gazetare shumë të njohur britanike, e cila e zuri mat gjatë një interviste, duke i nxjerrë në pah mashtrimet për projektin e Zvërnecit.
Por sërish Edi Rama ka zbuluar anën e tij të vërtetë, atë që nuk e ka parë media e huaj deri më tani, në një intervistë për gazetarin tjetër të njohur britanik Guy De Launey.
Ky i fundit punon për revistën e madhe Monocle. Por gjatë intervistës me Ramën, ai është habitur me qëndrimin e kryeministrit shqiptar ndaj fotografit të tij, James Mollison.
Madje në një moment, Rama i kërkon atyre të dalin jashtë se do vizatojë.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk duket aspak i kënaqur kur Monocle viziton zyrën e tij, por kjo mund të ketë lidhje me protestat që zhvillohen jashtë dritares së tij në qendër të Tiranës. Mungesa e ngrohtësisë bie në kontrast me imazhin e Ramës si burrë shteti dhe shouman i Ballkanit Perëndimor. Rama njihet për sjelljen e tij jokonvencionale në samitet ndërkombëtare: një moment i këndon kryeministres italiane Giorgia Meloni, në tjetrin bën shaka me Emmanuel Macron për prirjen e Donald Trump-it për të ngatërruar Shqipërinë me Armeninë. Artikujt mediatikë flasin me admirim për veprat e artit që zbukurojnë zyrën e tij dhe për zakonin e tij për të vizatuar gjatë mbledhjeve. Ata gjithashtu vënë në dukje se si, gjatë 13 viteve në pushtet, ai e ka afruar Shqipërinë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka transformuar horizontin e Tiranës dhe ka mbikëqyrur një bum të turizmit.
Megjithatë, gazetarët e Monocle hasën një version krejt tjetër të Ramës. Fotografi i revistës u qortua menjëherë kur i kërkoi kryeministrit të vizatonte diçka ndërsa pozonte për fotografi. Më pas mori një tjetër vërejtje vetëm pse ndryshoi pozicion gjatë intervistës. Një pyetje mbi mundësinë e kompromisit me protestuesit u hodh poshtë menjëherë.
“Pse duhet të arrij një kompromis?”, tha Rama. “Ata kanë të drejtë të protestojnë. Është një arritje e madhe për këtë vend që protestat janë paqësore. Por ne jemi zgjedhur me një fitore dërrmuese dhe kemi një vizion të qartë. Kemi një kontratë me shumicën e shqiptarëve. Disa mijëra njerëz që këmbëngulin se duhet të largohemi janë të mirë për shëndetin demokratik të vendit, por nuk janë në pozicion të imponojnë asgjë”,” shkruan gazetari i njohur.
“Protestuesit jashtë zyrës së kryeministrit nuk kërkojnë vetëm anulimin e projektit në Zvërnec. Ata gjithashtu brohorasin për përmirësimin e shkollave, spitaleve dhe standardit të jetesës.
“Po mbaj shënime,” thotë Rama. “Armiqtë mund të të thonë gjëra më të dobishme sesa miqtë.”
Me kaq, ai i thotë fotografit të Monocle të “dalë jashtë” dhe kthehet te letrat në tavolinën e tij, të mbushura me vizatime. Rama ka pohuar më parë se vizatimi e ndihmon të përqendrohet. Kjo verë e gjatë dhe e nxehtë nuk jep asnjë shenjë se do të qetësohet. Ndoshta do t’i duhet të porosisë edhe disa stilolapsa më shumë,” e mbyll shkrimin revista.
Gazeta RD