Zenel Vata, personazh legjendar i Matit

Nga Avni LEKA

Po shkruaj për shumë shokë e miq të mi, që nuk i kam të paktë. Jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ka dhe nga ata që nuk janë ngjitur në Macukull të Matit dhe kanë pak njohuri për kështjellën e pamposhtur të Macukullit, e cila është kala natyrore, me shkëmbinj të ashpër, fshat i bukur që fle nën qerpikët e malit të Dejës, por dhe kala historike me origjinë të lashtë, istikam në mbrojtjen e tokave shqiptare.
Po u ngjite në lartësitë e fshatit, ke prekur edhe tokën, edhe qiellin. E gjithë platforma ku ngrihet Macukulli, ka pamjen e një ballkoni të madh natyror, mbi 1000-1500 m lartësi, ku do ta ketë zili dhe zonja më e bukur prej hekuri, Kulla Eifel në Paris të Francës.
Në Macukullin historik nuk është nevoja të shpikësh lavdi dhe as heronj, as legjenda e mite të sajuara. Heronjtë i lind vetë toka. Toka e njeh mirë gjakun e bijve të vet, që u bënë legjendë në luftë të armatosur a në punë, legjendë në burgje, legjendë me penë e në heshtje.
Shumë heronj të mëdhenj kanë mbetur në mjegull, janë lënë në harresë. Kështu ka ndodhur me një personazh legjendar, i njohur me emrin Zenel Vata, nga Vatdodajt e Macukullit të Matit. Dimë nga burimet arkivore dhe kujtimet e shkruara, se babai i Zenel Vatës, Ali Vata, kishte punuar në Pashallëkun e Janinës, pranë Ali pashë Tepelenës, si luftëtar, si strateg lufte, si diplomat dhe këshilltar në Oborrin e tij.
Ali Vata vinte nga një fis me histori bese e trimërie. U ngjante maleve që kokën mbante lart e flasin me heshtjen. Bashkë me shumë burra e luftëtarë nga Macukulli e krahinat përreth kishin marrë pjesë me armë në dorë përkrah Ali pashë Tepelenës e Zenel Gjolekës, kundër pushtuesve osmanë. Ka patur edhe të vrarë trup me trup me pushtuesit turq. Kur Ali Vata u sëmur rëndë, nga një sëmundje e pashërueshme, Ali pashë Tepelena thirri të birin, Zenel Vatën dhe i thotë: “Ali vata është i sëmurë, ka dëshirë të prehet në vendlindje, Macukull të Matit”. Kështu e la të lirë këtë diplomat të kohës të prehet në vendlindje. I dha si shpërblim me vete dy hébe me flori. Kur e përcolli te porta e Pashallëkut i dha këtë porosi: “Mos i shpenzo kot paratë, bëj diçka për vendin tënd dhe lavdinë e fisit tuaj!”
Zenel Vata, në marrëveshje me fiset historike të Macukullit vendosën të zbresin ujin e malit të Dejës në fshat e krahinat përreth. Për të realizuar projektin zbritën në Macukull, në ato vite, mjeshtrit e talentuar të Ali pashë Tepelenës. Nisi puna direkt në terren, filloi piketimi i kanalit të ujit të pijshëm. Hapet kanali deri në gjysmën e rrugës. Mosmarrëveshjet e ashpra midis dy fiseve të forta, Kola e Vata, punimet u dërprenë. Fashati mbeti pa ujë. Por Zenel Vata me paratë e mbetura ndërtoi një kalldrëm guri të gdhendur nga Kisha e Shën-Aleksandrit (Dukagjin) në fshatin e lindjes, Macukull. Me një pjesë të floririt bleu armë dhe armatosi burrat luftëtarë të Macukullit e të krahinave përreth. Macukulli dhe të gjitha ato krahina përreth bënin pjesë në kazanë e Matit. Janë drejtuar historikisht nga shtëpi të mira, në bazë pleqërie. Ishte formë e vetqeverisjes, të udhëhequr kryesisht nga Kanuni i Skënderbeut, pa mohuar në asnjë rrethanë normat zakonore të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Burimet arkivore na mësojnë se me urdhër perandorak, 18.08.1836 (Arkivi i Stambollit) Haxhi pashë Zogolli, i cili gjendej në Manastir, emërohet myteselim i Matit. Meqënëse çalonte pak në njerën këmbë, njihet dhe me emrin Haxhi pashë Sakati.
Në mesin e shekullit XIX Porta e lartë nisi përveç të tjerave edhe fushatën për çarmatimin e popullsisë, veçanërisht në trojet shqiptare. Fushatat antipopullore çuan në Mat në përleshje të përgjakshme, në vrasje, burgime, internime masive. Zogolli kërkoi çarmatimin e popullit të Matit. Për shqiptarin arma në krah ishte gjithçka, ishte vetë liria, ishte dinjiteti njerëzor. Në këto rrethana të caktuara, mjaft të vështira për Matin dhe të gjithë krahinat përreth, Zenel Vata mblodhi burrat e krahinës, Semti i Prellit, dhe zbret në pazarin e Lisit, qendra e atëhershme e Matit, afër sarajeve të Zogollit dhe u bën thirrje burrave me armë: “Selitë e Macukull në një anë!” Kjo ngjarje brenda ditës u përjetësua në këngë:
Rrofsh e qofsh mor Zenel Vata,
që na i vune pushkët e gjata,
se për tri ditë na i hoqi pasha…
Demonstrimi i armëve në pazarin e Lisit, jo vetëm ngjalli habí, por shërbeu edhe si kushtrim dhe inkurajim për të gjitha lëvizjet popullore antiosmane në vilajetin e Manastirit.
Një shtëpi e mirë në Dibër (H.😎 bën dasëm, marton djalin. Kishte një miqësi të gjërë. Dasmat, odat e burrave, ishin barometrat e kohës. Flamuri, arma, plisi i bardhë në kokë, xhamadani i kuq me fije ari, lahuta dhe çiftelia, ishin “deputetët” dinjitozë të kohës. Shtëpia e mirë ftoi në dasëm miq nga shumë krahina: Ohër, Prizren, Krujë, Dibër, Tetovë, edhe mikun e shokun nga Mati, Zenel Vatën. Për të pritur miqtë, dasmat zakonisht organizoheshin në oborret e shtëpisë, brenda mureve të avllive. Vjen miku i shtëpisë, Zenel Vata. Këngëtarët, kërcimtarët, ahengxhinjtë, kishin zënë vend në krye të oborrit. I zoti i shtëpisë, bashkë me këto, e presin me këngë. Citoj vetëm dy vargje, në dialektin e vjetër të Dibrës:
“Xheç rahmet mor Zenel Vata,
që na i ngjeshe pushkët e gjata…”
Kjo këngë është kënduar që ditën e parë kur 300 burra demostruan armët në pazarin e Lisit dhe u përhap në të gjithë Vilajetin. Zenel Vata ngjitet në odën e burrave. Miqtë dasmorë i kishin varur armët në parmakët e drurit. Në çdo parmak druri ishin varur 4-5 armë. Në krye të vendit, pranë oxhakut, një parmak druri ishte lënë për të varur pushkën e Zenel Vatës. Me krenari Zeneli e vari pushkën. Që nga ajo ditë e deri më sot ka ardhur proverbi: “Pushka e Zenel Vatës është pushkë me emër, pushkë përmbi pushkë!”
Macukullin, si fshat i madh, asokohe e përfaqësonin dy shtëpi, e Vatës dhe e Kolës. Pas gjithë këtyre ngjarjeve, Zogolli thërret Vatën, Zenel Vatën, të cilit nuk ia ze fare në gojë demonstratën e armëve. Kjo ngjalli zemërimin e Kolës, i cili zbret në Burgajet dhe i kërkon spjegim: “Pse nuk jam thirrur në mbledhje?”. Pasha i thotë: “Zenel Vata s’po len vend as për mua, as për ty. Pastaj zgjidhe vetë se kush do të përfaqësojë Macukullin”.
Ky ishte sinjali që dha Haxhi pashë Sakati. Kola menjëherë e kuptoi, e thërret në një bisedë dhe në pabesi e vret. Zenel Vata ndodhej në minutat e fundit të jetës. Vijnë të gjithë të afërmit, vijnë dhe nga fiset e forta të Macukullit e të krahinës. Pas një bisede të gjatë, Zenel Vata u thotë: “Kësaj radhe nuk më ka vra pushka e Kolës, po e Zogollit. Prandaj trupi im mos të varroset pa u vra Haxhi pashë Zogolli”.
Zeneli vdiq, por e la amanetin. Patrioti legjendë Zenel Vata, figurë historike, i njohur në traditën popullore si luftëtar i shquar, simbol i qëndresës burrërore ndaj pushtuesve osmanë, portret e karakter për ta patur zili edhe heronjtë e legjendave, kujtohet edhe sot për autoritet popullor që kishte. Të vrisje asokohe Haxhi pashë Zogollin nuk ishte e lehtë. Sarajet ose kështjella e Zogollit, ishte një shtëpi e madhe, e fortifikuar, ndërtuar para vitit 1860, ishte një kala 2-3 katëshe dhe mbrohej me ushtri 24 orë.
Për vrasjen e tij u nisën si në përralla tre adoleshentë: Dali Vata, nipi; Kurt Koka, nipi tjetër, Xhetani. U nisën si tre shpendë mali, me tre kobure të mbushura nga gryka. Kaluan disa fshatra, shpate malesh, bregore, pyje të dendur. Rrugë e gjatë, 4 orë në këmbë, me një strajcë me buk e një pagure uji. Pasi afrohen pranë sarajeve të Zogollit, gjejnë një vend për të pushuar. Ulen në një trung druri lisi. Nën hijen e ferrës së egër qetësohen pas gjithë asaj rruge të gjatë, katër orë në këmbë. Aty pranë tyre, një lis i gjatë, ku kishte zënë vend një qyqe mali, e cila po këndonte për hesapin e vet. Por sipas ritit, kushdo që i lutet qyqes, ajo do të tregojë gjatësinë e jetës. Të rinjtë i drejtohen qyqes para se të afrohen te portat e sarajeve të Zogollit:
Qyqe, qyqe, krahë shkrue
pash ty e pash mue,
dhe sa vjet kemi me jetue?!
Qyqja vazhdoi të këndojë sa s’kishte të mbaruar. Ky shpend i dhembjes sikur u dha forcë, krah. I mbushi me besim, i bekoi për t’u përballur me një kalà, tip kështjelle, kullë e fortifikuar. Vetëm tre të rinj, me tri kobure në brez, do të përballen me 300 rojet e armatosura të sarajeve të Zogollit. Drejtohen të tre djemtë te portat e sarajeve. Ishin djem të guximshëm, djem që të merrnin gjak në vetull të syrit. Rojet i pyesin tre të rinjtë:
-Pse keni ardhur?
Djemtë përgjigjen:
-Duam të takojmë Pashën, na ka marrë malli!
Lajmërohet Haxhi Pasha, se kanë ardhur tre fëmijë nga Macukulli e duan t’ju takojnë. Pasha i porosit rojet:
-Të hyjnë brenda. Kanë ardhur të hanë fiq. Shërbejuni me kafe dhe ujë!
Të rinjtë shumë të kujdesshëm brenda sarajeve të Zogollit, vinin nga tri shtëpi të mira: Vata, Xhetani, Koka. Këto përfaqësonin shpesh edhe Matin në shumë evente krahinore e kombëtare në kohën kur ishim të pushtuar nga Perandoria osmane. Lëviznin në mënyrë të shkujdesur, të mos binin në sy të rojeve për asgjë. Nuk pranuan të pijnë as kafe, as ujë. Se thënë ndryshe, në bazë të së drejtës zakonore, pushka do të quhej pushkë e pa besë.
Të rinjtë u futën në odën ku rrinte Pasha. E përshëndetën:
-Selam Alekim, Haxhi pashë Zogolli!
-Alekim Selam! -përgjigjet Pasha, -ç’e mirë ju ka sjellë? Jeni fëmijë, keni bërë rrugë të gjatë.
Më i rrituri, Dali Vata, thotë:
-Sot zbret nga Macukulli për në sarajet e Zogollit një amanet. Është amaneti i Zenel Vatës! Të çon selam, të çon të fala. Nuk kemi ardh për fiq e për kafe, por me ty të ndërrojmë dy llafe!
Qëllojnë njëherësh mbi Haxhi pashë Sakatin, i cili bie i vdekur mbi kolltukun e tij të modelit austriak.
Johan G. von Hahn, albanolog i njohur i shekullit XIX, në librin “Shënime udhëtimi” me tregime për Matin, shkruan: “Tre djem të ri, të guximshëm, nga një fis fisnik i krahinës së Macukullit, zbritën në sarajet e Zogollit dhe vranë Haxhi pashë Sakatin”.
Pasi u krye atentati historik mbi Myteselimin (Valiun) Haxhi pashë Zogolli, Dali Vata, nipi Xhetani, me shpejtësinë e erës, kaluan në një prag të ngushtë, në të majtë të kështjellës, për t’u mbrojtur nga rojet, u futën në pyllin e dendur që rrethonte sarajet e Zogollit. Nipi tjetër, Kurt Koka, më i riu, s’pati kohë të dalë nga oda. Rojet e oborrit e kyçën brenda, i mbyllën derën për të mos patur mundësi në asnjë rrethanë të dalë e të largohet. Dali Vata, nipi Xhetani, çojnë në Macukull lajmin e vrasjes së Haxhi pashë Zogollit. Nëna e Kurt Kokës, e trishtuar, i pyet me zë të dridhur:
-Ku e kam djalin? E kam djalë të vetëm.
Ata i tregojnë:
-Rojet e oborrit të Zogollit i mbyllën derën. Ka mbetur brenda odës, aty ku kemi vrarë Pashë Sakatin.
Të gjithë menduan se do ta kenë vrarë rojet e Zogollit. Nëna, motrat, gjaku e gjinia vishen me të zeza. Të shkretës nënë i shkulet zemra. Hapet mortja e djalit në familjen Koka.
Në kohën kur rojet e oborrit ndiqnin jashtë mureve të kalasë Dali Vatën e nipin Xhetani; Kurt Koka, nipi i vogël që ish kyçur në odën e Kajmekamit, mendon si të shpëtojë. Futet në hapsirën e oxhakut, del me shumë mundim mbi çati, rrokulliset dalëngadalë, pa zhurmë, dhe humb në pyllin e dendur të Burgajetit.
Nipi Kurt Koka, ashtu i dramatizuar, i tmerruar, ecën me orë të tëra nëpër dushqet e lisit për të mos ra në sy të rojeve të armatosura të sarajeve të Zogollit, që e ndiqnin këmba-këmbës. Ishte shumë i lodhur. Pas tri orësh në këmbë ndalet të pushojë në fshatin Dukagjin (Mat) pranë rrënojave të Kishës së Shën-Aleksandrit, aty ku u mbajt në vitet 1601-1602 Kuvendi i Dukagjinit. Mbështet trupin në një lis shekullor, nxjerr armën dhe qëllon tri herë në ajër në drejtim të malit të Dejës. Krismat e armës u përhapën si rrufeja, u dëgjuan nga banorët e fshatit Macukull. Nëna ishte e para që ngriti zërin në kupë të qiellit.
-Kjo ishte arma e djalit tim, ka krismë të veçantë, dallohet nga të gjitha armët. Kur qëllon djali im me armë, të duket sikur këndon ndonjë rapsod i krahinave të Veriut. Djali im është i gjallë.
Vargu i njerëzve për të pritur djalin s’kishte të mbaruar. Mortja kthehet në gëzim dhe festë familjare. Kaq kishte qënë historia e kapedanit legjendar, Zenel Vata me të tre djemtë e fshatit Macukull, që nuk krahasoet me krirjimet fantastike të Viktor Hygoit dhe nuk e gjen as në përrallat me dragonj e zana, me mbretër e Perendi.

About Redaksia

Check Also

Sondazhi amerikan tregon katastrofën/ 8 në 10 të rinj gati të ikin nga Shqipëria

Tetë në dhjetë të rinj shqiptarë do të zgjidhnin të largoheshin nga vendi nëse do …