Alarmi i organizatave ndërkombëtare për dhunën ndaj medias/ Kapidani: PD dënon çdo akt dhune ndaj gazetarëve!

Deklarata e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani: 

Deklarata e përbashkët e dhjetë organizatave më të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias është një alarm serioz për gjendjen e demokracisë, lirisë së shprehjes dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Fakti që organizata prestigjioze si Reporterët pa Kufij (RSF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe organizata të tjera ndërkombëtare evidentojnë një model të përsëritur të presionit ndaj gazetarëve, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, përbën një dëshmi të rëndë të degradimit të standardeve demokratike në vend.

Partia Demokratike dënon çdo akt dhune, kërcënimi, intimidimi apo pengimi ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Liria e medias nuk është privilegj i gazetarëve, por një e drejtë themelore e qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe pa frikë.

Është veçanërisht shqetësues fakti që organizatat ndërkombëtare evidentojnë përdorimin e retorikës diskredituese ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe organizatave të shoqërisë civile, duke i etiketuar ata si të kontrolluar politikisht apo të financuar nga interesa të huaja. Një gjuhë e tillë nxit polarizim, krijon klimë frike dhe vetëcensure dhe cenon rëndë debatin demokratik.

Partia Demokratike mbështet plotësisht thirrjen e organizatave ndërkombëtare për hetim të pavarur dhe transparent të çdo rasti dhune, kërcënimi, pengimi apo përdorimi joproporcional të forcës ndaj gazetarëve, si dhe kërkesën për zbatimin e plotë të Protokollit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve.

Po ashtu, konsiderojmë të domosdoshme që Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ta reflektojnë këtë përkeqësim të klimës së lirisë së medias në vlerësimet e tyre për shtetin e së drejtës, të drejtat themelore dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Liria e medias, liria e shprehjes dhe e drejta për protestë paqësore janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike. Çdo përpjekje për t’i frikësuar ose heshtur ato përbën një sulm ndaj vetë demokracisë dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

“Shteti flet për konsullatë serbe, në Kosovë gjenden varre masive”/ Deputetja-Ramës: Prit protestat!

Deputetja Marjana Koçeku e njohur si Neomalsorja, ka reaguar kundër nismës për hapjen e një …