Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka zbardhur detajet mbi arrestimin në Francë të Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderave të AKSHI-t.
Sipas SPAK, në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit “arrest në burg”. Pas mosarrestimit të tyre në Shqipëri, SPAK kërkoi shpalljen në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol Tirana, ndërsa ndaj tyre u lëshua edhe “Red Notice”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 19 qershor 2026, prokurorët e SPAK kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, pasi dispononin informacione se Beqiri ndodhej në territorin francez. Menjëherë pas kësaj kërkese, autoritetet franceze nisën hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ), Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe Brigadën Kombëtare të Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF).
Hetimet konfirmuan praninë e Beqirit në Francë dhe çuan në identifikimin e disa pasurive të tij që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Sipas SPAK, u zbuluan llogari bankare me një vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si edhe një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro. Gjithashtu u evidentuan edhe automjete të ndryshme, ndërsa për të gjitha këto pasuri SPAK u ka kërkuar autoriteteve franceze sekuestrimin në kuadër të hetimeve.
SPAK bën me dije se hetimet e autoriteteve franceze mundësuan edhe identifikimin e automjeteve që dyshohej se përdorte Beqiri, duke ngushtuar zonën e kërkimeve dhe lehtësuar lokalizimin e tij.
Sipas organit të akuzës, arrestimi i Ermal Beqirit u bë më 24 korrik 2026, pasi ai hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, duke u detyruar të ulej në aerodromin e Albert-it. Menjëherë pas uljes, ai u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze.
Gjykata franceze vendosi ta mbajë në paraburgim për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë, ndërsa SPAK ka dërguar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e tij përmes Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, sipas SPAK, hetimet financiare vijojnë paralelisht në Francë, me synim sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në pronat e Beqirit janë sekuestruar edhe sende që konsiderohen me interes për hetimin penal.
Gazeta RD