Ersen Dobrovoda. Doktor, para pak ditësh Kuvendi i Shqipërisë konfirmoi se vetëm 19 nga 74 deputetë socialistë që votuan pro ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së ushtrisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nënshkruar deklaratën për t’u njohur me tekstin e marrëveshjes. Kjo do të thotë që të paktën 55 deputetë kanë votuar pa e ditur fare se çfarë po votojnë. Ju si grup parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtuat Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Mund të na thoni cili është synimi i Partisë Demokratike me këtë lëvizje?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari dua të sqaroj çdo shqiptar se Partia Demokratike mbështet plotësisht kërkesën e presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve nga vendet anëtare të NATO-s për mbrojtjen.
Jemi në kohë luftërash, kjo duhet të ishte bërë dhe më parë, e filluam ne me 2%, këta e zbritën tek 1.3%.
Së dyti, ne falënderojmë qeverinë e Shteteve të Bashkuara për kredinë, me të cilën ushtria shqiptare mund të blejë pajisje moderne për mbrojtjen e vendit.
Por Edi Rama e trajton edhe këtë moment si një narkodiktator, i paskrupullt, i pafytyrë. Në një kohë kur ai vetë e ka miratuar në qeveri me datën 19 qershor, e dorëzon në parlament- me qëllim- me datën 18 korrik.
Dhe kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, thirret nga Niko Peleshi dhe diskutojnë për këtë marrëveshje. Zoti Bardhi i thotë që ne e mbështesim plotësisht, të vetmet kërkesa që kemi: së pari, marrëveshja të lexohet nga deputetët; së dyti, të respektohet afati kushtetues.
Afati kushtetues për miratimin me procedurë urgjente është një javë, nga dita e depozitimit në parlament nuk mund të bëhet pa kaluar një javë. E vërteta është që Niko Peleshi bie plotësisht dakord, ‘ke të drejtë’ thotë, edhe për kërkesën e parë dhe të dytë. Dhe kryesia e parlamentit përcaktoi datën 31, ditën e enjte, si ditën e fundit të parlamentit, pikërisht për të votuar në përputhje me procedurën kushtetuese marrëveshjen.
Por ligësia e Edi Ramës, i cili e dinte që ne Kushtetutën nuk e shkelim, jo, ai e shkel Kushtetutën kundra nesh, por ne ortakë në shkelje të Kushtetutës me të nuk bëhemi, dhe ai përmbysi çdo gjë.
Urdhëroi Peleshin dhe Tualetin e tij që marrëveshja të votohej me datën 23 korrik, ditën e hënë, në kundërshtim me Kushtetutën. Të votohej pa e lexuar sepse ata vendosën për shkak të konfidencialitetit, dhe nuk kishte konfidencialitet për termat ushtarake, s’ishte ushtarake, për termat tregtare, normal, sepse atë kredi, qeveria amerikane, atë lloj kredie në një vend tjetër mund ta ketë dhënë me kushte të tjera dhe nuk do të krijojë debate.
Pra, urdhëroi dhe ata e votuan në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim të hapur me rregulloren e parlamentit, dhe një dokument për të cilin nuk kishte nevojë ta lexonin shumica e atyre që e votuan.
Ne në këto kushte, për të mbrojtur kushtetutshmërinë dërguam procedurën, jo marrëveshjen.
Edhe një herë, ne nuk kemi asnjë kundërshtim me marrëveshjen, dhe unë publikisht dua t’u informoj, se ne palës amerikane i kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm në çdo kohë, në qoftë se rikthehet ajo që u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e vendosim në Kushtetutë, deputetët e Partisë Demokratike janë të gatshëm të mblidhen dhe të votojnë marrëveshjen.
Por natyrisht, Edi Rama e kishte të qëllimshme se mendonte se i bëri një kurth opozitës duke shkelur Kushtetutën, një i pafytyrë, njeri që s’ka moral, s’ka nder, s’ka dinjitet, njeri që e konsideron veten mbi ligjin, mbi Kushtetutën.
Dhe kjo është arsyeja pse ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese, e cila në raste të tilla analoge e ka gjetur jokushtetuese procedurën e ndjekur, dhe rasti u kujtohet ju, të njëjtën gjë bënë me rregulloren e parlamentit, por Gjykata Kushtetuese e ktheu mbrapsht procedurën.
Gazeta RD