Deputetja Marjana Koçeku e njohur si Neomalsorja, ka reaguar kundër nismës për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke e lidhur këtë çështje me zbulimet e fundit në Zubin Potok, ku po vijojnë gërkimet për gjetjen e trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Para dy ditësh filluan gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për një varrezë masive me 23 intelektualë të vrarë nga forcat serbe, ndërsa deri tani janë gjetur trupat e 6 prej tyre”, shkruan deputetja.
Deputetja përmend gjithashtu se gjatë kontrolleve në zonë është gjetur armatim dhe është arrestuar një person që dyshohet se ka qenë pjesëtar i Armatës Jugosllave.
Sipas saj, hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk mund të trajtohet vetëm si çështje diplomatike apo ekonomike, duke kërkuar që të merret parasysh edhe historia e dhimbshme e shqiptarëve të Kosovës.
“Flitet për parime diplomacie, marrëdhënie bilaterale dhe përfitime ekonomike, por harrohet më e rëndësishmja: realiteti i një populli të masakruar”, shprehet ajo.
Deputetja kritikon mungesën e qartësisë nga institucionet shqiptare, duke thënë se deri tani janë dhënë vetëm “sqarime të turbullta” për këtë çështje.
Ndërkohë, ajo njofton se të dielën priten protesta në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe, duke theksuar se kjo çështje “nuk është një punë që kalon lehtë”.
“Ndërsa shteti shqiptar flet për konsullatë dhe fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive të trupave të vrarë edhe pas më shumë se 25 vitesh”, përfundon reagimi i Marjana Koçekut.
Gazeta RD