Lubonja ngre alarmin: Ka projekte për të sjellë 100 mijë emigrantë nga Bangladeshi e India

Analisti Fatos Lubonja ka ngritur alarmin për shpopullimin në Shqipëri.

Ai e ka lidhur këtë fenomen me politikat e qeverisë për plotësimin e mungesës së fuqisë punëtore përmes punonjësve të huaj.

I ftuar në studion e News24, Lubonja u shpreh se largimi masiv i shqiptarëve po trajtohet me indiferencë nga qeveria, ndërsa sipas tij po ndërmerren hapa për të sjellë në vend dhjetëra mijëra shtetas nga Azia.

“Jemi në një kohë kur Shqipëria po shpopullohet”, deklaroi ai, duke argumentuar se zgjidhja që po ndiqet nuk adreson shkaqet e emigrimit të shqiptarëve, por synon zëvendësimin e tyre me fuqi punëtore të importuar.

Sipas analistit, ekzistojnë projekte për të sjellë rreth 100 mijë emigrantë, një zhvillim që, sipas tij, mund të ndryshojë ndjeshëm strukturën demografike të vendit.

 “Ka projekte për të sjellë nja 100 mijë emigrantë përnjëherë. E kanë treguar se nuk çajnë kokën për shqiptarët. Në këtë aspekt, këta thonë: le të ikin shqiptarët se sjellim indianë, bangladeshas, vietnamezë”, u shpreh Lubonja.

Në fund të analizës së tij, ai iu referua edhe një studimi mbi ecurinë demografike, duke paralajmëruar se nëse trendi i emigrimit të shqiptarëve dhe ardhjes së punëtorëve të huaj vazhdon me të njëjtin ritëm, brenda një dekade përbërja e popullsisë në Shqipëri mund të ndryshojë ndjeshëm.

About Redaksia

Check Also

Betejë për zonat e mbrojtura apo zonat e mbetura?

A po kthehen zonat më të mbrojtura të Shqipërisë në hapësirat e saj më të …