Revolta: Kryebashkiaku socialist thirrje PD: Të bashkohemi kundër qeverisë!

Revolta kundër reformës së re administrativo-territoriale po thellohet brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Pas protestave të banorëve, kundër draftit të qeverisë është rreshtuar edhe kryebashkiaku socialist i Divjakës, Josif Gorrea, i cili iu bashkua qytetarëve në protestën e zhvilluar në sheshin qendror të qytetit.

Në një intervistë për Report TV, Gorrea hodhi poshtë argumentet e draftit për shkrirjen e Bashkisë së Divjakës dhe bashkimin e saj me Lushnjën, duke ironizuar edhe punën e komisionit që hartoi projektin.

“Komisioni ka qenë në gjumë kur ka bërë këtë propozim”, u shpreh ai.

Sipas kryebashkiakut socialist, kriteret e përdorura për riorganizimin territorial nuk janë zbatuar në mënyrë të njëjtë për të gjitha bashkitë. Si shembull ai solli Roskovecin, i cili, megjithëse ka më pak territor dhe popullsi se Divjaka, nuk preket nga reforma.

Në mbrojtje të Divjakës, ai solli edhe argumente që lidhen me identitetin historik dhe pasuritë natyrore të zonës, duke përmendur Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, lagunën, pyjet, tokat pjellore, pelikanin kaçurrel dhe flamingot, të cilat, sipas tij, përbëjnë një pasuri me rëndësi kombëtare.

Kryebashkiaku bëri të ditur se Bashkia Divjakë do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të kundërshtuar draftin. Sipas tij, është ngritur një grup pune, do të zhvillohen dëgjesa publike në të gjitha njësitë administrative dhe qëndrimi zyrtar do t’i përcillet Kuvendit dhe qeverisë.

“Ne pritëm ardhjen e dosjes, kemi krijuar një grup pune. Kemi ftuar edhe opozitën të na bëhen pjesë, nëse kanë elementë. Pasi ta përpilojmë këtë dokument, do bëjmë edhe qasjen e duhur, për ta bindur qeverinë shqiptare që bashkia Divjakë është identiteti kombëtar, që nuk duhet humbur, duhet të qëndrojë e fortë”, theksoi Gorrea.

About Redaksia

Check Also

Protesta/ Rama të largohet, kreu i SPAK të japë dorëheqjen nëse nuk arreston të korruptuarit!

Protesta maratonë kundër qeverisë së Edi Ramës vijoi edhe në ditën e saj të 66-të …