Ndërkohë që Edi Rama dhe Toni Gogu i thonë Evropës me zë të lartë se Kapitulli 24 i Drejtësisë është gati të mbyllet si një derë e re e pastër, ata njëkohësisht e vendosin në zemër të Ministrisë së Drejtësisë Alban Mësonjësin, atë emër që Panama Papers e kishte nxjerrë në dritë si personazh me kompani offshore, parajsa fiskale dhe rrjete që lëviznin miliona euro nëpër TimBast (kapital 50.000 dollarë), 24 Bast (kapital 500.000 dollarë) dhe shoqëri panamiane të lidhura me Franco & Franco, Charino Holding, Atilova Enterprises dhe Trillado Enterprises.
Emërimi u bë më 28 prill 2026, vetëm një muaj e gjysmë pasi Toni Gogu kishte marrë detyrën e ministrit, pa asnjë konkurs, me letra penale që dukeshin më shumë si fletë dekorative sesa dokumente të vërteta, në shkelje të rëndë të ligjit dhe në një heshtje të plotë. Sipas pretendimeve të ngritura, kryeministri kishte prej kohësh informacione nga SHISH-i, Anti-Mafia, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe agjenci partnere ndërkombëtare për përfshirjen e tij në aktivitete me kompani offshore, ndërsa hetimi i Komisionit të Vettingut mbi pasuritë e bashkëshortes, Ornela Rrumbullaku, evidentoi lidhje me katër kompani në Shqipëri, Qipro dhe Panama.
Për më tepër, bashkëshortja e tij, ish-prokurore, u shkarkua nga të dy shkallët e vettingut, ku në vendimet përkatëse u trajtuan edhe pasuritë dhe aktiviteti i bashkëshortit të saj. Megjithatë, kjo nuk e ndali emërimin e Alban Mësonjësit në krye të administratës së Ministrisë së Drejtësisë.
Dhe vërtet, përse të ndalesh te një profil i skeduar nga agjencitë gjurmuese, kur i njëjti njeri kishte kaluar më parë në poste të larta shtetërore dhe tani merr në dorë korrespondencën sekrete të ministrit Toni Gogu dhe informacionet që shkëmbehen me institucionet më të larta shqiptare e ndërkombëtare?
Kështu, ndërsa flitet për standarde evropiane dhe pastërti të sistemit, i njëjti sistem i jep dritën e gjelbër një figure që hetimet e mëparshme e kishin lidhur me rrjetin e parajsave fiskale dhe mafien e basteve.
Gazeta RD