Nga Kliti HOTI
Prej ditësh, shkodranët po përballen me dokumente që ngrenë shqetësime serioze mbi atë që po planifikohet në zemër të Gjuhadolit.
Rreth një muaj më parë, qytetarët e Shkodrës panë Bashkinë të ndërhynte në një objekt historik në Gjuhadol, duke shembur pjesë të çatisë dhe të mureve me argumentin se godina paraqiste rrezik për kalimtarët. Sot, mbi të njëjtin objekt, publikohet një projekt që parashikon ndërtimin e një godine shumëkatëshe në zemër të Qendrës Historike.
Kjo kronologji nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje të forta.
Si është e mundur që një objekt historik, i cili deri dje paraqitej si rrezik për t’u ruajtur, sot të konsiderohet i përshtatshëm për një ndërhyrje që ndryshon rrënjësisht karakterin e tij?
Si është e mundur që në zemër të Qendrës Historike të propozohet një projekt që, sipas dokumenteve të publikuara, ka ngritur shqetësime serioze edhe tek specialistët e trashëgimisë kulturore?
Qendra Historike e Shkodrës nuk është një parcelë ndërtimi ku arkitektët e kryetarit të Bashkisë mund të imponojnë vizionin e tyre. Është një pasuri e trashëguar nga breza të tërë, që duhet mbrojtur, jo transformuar.
Historia e Shkodrës nuk fillon me Benet Becin dhe nuk mbaron me mandatin e tij. Por mënyra se si ai do ta trajtojë Gjuhadolin do të mbetet pjesë e gjykimit që qytetarët do t’i bëjnë kësaj administrate.


Gazeta RD