Pse Dimali duhet të mbetet bashki më vete

Nga Luçiano BOÇI

Dimali nuk mund të hiqet nga harta administrative me një të rënë lapsi, vetëm që mazhorancës t’i dalë shifra e paracaktuar e bashkive.

Ai është një territor me identitet, ekonomi dhe funksionalitet të qartë vendor.
Bashkia përbëhet nga katër njësi administrative, ka rreth 28 mijë banorë, dendësi prej afro 180 banorësh për kilometër katror dhe 647 ndërmarrje aktive.

Pra, nuk kemi përballë një territor të zbrazur, pa ekonomi dhe pa jetë komunitare, por një bashki me peshë demografike dhe potencial real zhvillimi.

Dimali është një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të qarkut të Beratit. Bujqësia, blegtoria, përpunimi dhe tregtimi i produkteve kërkojnë politika të posaçme vendore për vaditjen, kullimin, rrugët rurale, tregjet dhe mbështetjen e fermerëve.

Bashkimi me një bashki tjetër nuk i zgjidh këto nevoja.

Përkundrazi, i largon vendimmarrjen nga fermeri dhe e zhvendos atë në një qendër administrative me prioritete të tjera.

Shkrirja e Dimalit do të thotë më pak përfaqësim, më shumë largësi nga administrata dhe më pak vëmendje për fshatrat e tij. Kursimi i pretenduar nga heqja e institucionit bashkiak do të ishte i papërfillshëm përballë kostos që do të paguanin qytetarët me kohë, transport, burokraci dhe humbje të ndikimit në vendimmarrje.

Reforma nuk mund të quhet efikase kur kursen një zyrë, por u shton qytetarëve dhjetëra kilometra rrugë.

Dimali nuk është shtojcë territoriale e askujt. Ai përbën një hapësirë funksionale të lidhur ekonomikisht, shoqërisht dhe historikisht.

Edhe vetë ndryshimi i emrit nga Ura Vajgurore në Dimal synoi të forconte identitetin e territorit.

Tani është krejt paradoksale që, pasi iu njoh identiteti, të propozohet zhdukja e tij administrative.

Problemi i bashkive nuk është numri i tyre, por mungesa e financimit, kompetencave dhe decentralizimit real.

Një bashki nuk bëhet më e fortë duke gëlltitur një bashki tjetër.

Bëhet më e fortë kur fondet ndjekin funksionet, kur administrata profesionalizohet dhe kur investimet shpërndahen sipas nevojave të territorit.

Prandaj Dimali duhet të mbetet bashki më vete,
për shkak të popullsisë, ekonomisë bujqësore, dendësisë, identitetit territorial dhe nevojës për shërbime pranë qytetarit.

Dimali nuk ka nevojë të shkrihet.

Ka nevojë të financohet, të decentralizohet dhe të zhvillohet.

About Redaksia

Check Also

Kush do t’i fikë zjarret?! Qeveria kujtohet kur shtëpitë dhe pyjet janë janë shkrumbuar

Zjarri është gjithmonë më i shpejtë se burokracia. Nëse institucionet vazhdojnë të reagojnë vetëm pasi …