Aeroporti i Vlorës nga propaganda elektorale te fatura që do të paguajnë shqiptarët!

Nga Atird HOXHA
-Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë-

Ka kaluar më shumë se një vit që kur dyshja Rama & Balluku, në kulmin e fushatës elektorale të majit 2025, organizuan një shfaqje propagandistike në pistën ende në ndërtim dhe të pacertifikuar të Aeroportit të Vlorës. Ulja e avionit të parë nuk ishte inaugurim, por një përpjekje për t’u krijuar shqiptarëve përshtypjen se aeroporti do të ishte funksional brenda pak javësh, ose, në rastin më të keq, brenda pak muajsh.

Sot realiteti flet ndryshe. Kanë kaluar dy vite nga afati i përcaktuar për përfundimin e punimeve.

Por çfarë kemi sot, në të vërtetë?

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës po shndërrohet në një nga shembujt më domethënës të mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës: mungesë transparence, mungesë përgjegjësie, probleme në zbatimin e kontratës dhe një kosto që, në fund, rrezikon ta paguajnë qytetarët shqiptarë.

Që në fillim kam ngritur shqetësimin tim për këtë kontratë koncesionare, për mënyrën e përzgjedhjes së koncesionarit dhe për mungesën e transparencës në një projekt që duhej të ishte një mundësi historike për Vlorën.

Sot, pas më shumë se katër vitesh, faktet janë përpara syve të të gjithëve. Investimi është përfshirë nga konfliktet mes ortakëve, vendimet gjyqësore, bllokimi i punimeve dhe tashmë nga kërcënimi i një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar. Reagimi publik i një prej ortakëve të projektit është një sinjal serioz. Nëse shteti shqiptar përballet me një faturë financiare në arbitrazh, kush do të mbajë përgjegjësi? Dhe pse një projekt me rëndësi kombëtare u lejua të përfundonte në këtë situatë?

Përgjigje duhet të japin Edi Rama dhe Belinda Balluku. Kjo e fundit u përmend publikisht nga një prej ortakëve të projektit, i cili pretendon se ndarja e përqindjeve të aksioneve të aeroportit është përcaktuar në zyrën e saj.

Ata nuk mund të fshihen pas procedurave, deklaratave apo institucioneve që kontrollojnë vetë.

Ata duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve si u hartua kjo kontratë, si u monitorua zbatimi i saj dhe pse sot Shqipëria rrezikon të përfshihet në një konflikt të kushtueshëm ndërkombëtar.

Dyshimet e ngritura prej kohësh nuk mund të anashkalohen më. Ato kërkojnë transparencë të plotë dhe përgjegjësi politike. Një projekt i kësaj rëndësie nuk mund të trajtohet si një marrëdhënie private mes disa ortakëve dhe qeverisë. Këtu bëhet fjalë për interesin publik, për zhvillimin e Vlorës dhe për paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Aeroporti i Vlorës duhej të ishte një histori zhvillimi, krenarie dhe perspektive për jugun e Shqipërisë.

Sot rrezikon të mbetet simbol i propagandës, i keqmenaxhimit dhe i mungesës së përgjegjësisë politike. Dhe, nëse kjo çështje përfundon me një faturë në arbitrazh ndërkombëtar, atë faturë nuk do ta paguajnë as Rama, as Balluku. Do ta paguajnë, edhe një herë, qytetarët shqiptarë.

About Redaksia

Check Also

Kruja përkujton Abaz Kupin, Aulon Kalaja: S’na duhet konsullata serbe në Shkodër, na duhet shtatorja e tij

Partia Demokratike dega Krujë, në bashkëpunim me Partinë Lëvizja e Legalitetit organizuan sot një ceremoni …