Nga Ina ZHUPA
Kumbaro ka kaluar me udhëzim funksionin e auditimit të brendshëm nga Bordi i Administrimit te rektorët e universiteteve publike. Një ndryshim i tillë nuk është thjesht organizativ, por prek drejtpërdrejt mekanizmat e kontrollit financiar dhe balancën institucionale të parashikuar në ligj.
Ligji për Arsimin e Lartë ka ndërtuar një ndarje të qartë mes drejtimit akademik dhe administrimit financiar. Rektori drejton institucionin në aspektin akademik, ndërsa Bordi i Administrimit ka përgjegjësi për mbikëqyrjen financiare dhe administrimin e fondeve publike. Po ashtu, buxheti propozohet nga strukturat drejtuese të universitetit dhe kalon për shqyrtim e miratim sipas procedurave të përcaktuara në ligj, duke garantuar balancë mes organeve drejtuese.
Kjo ështe ndarje e sanksionuar në nenet 37, 39, 47, 51 dhe në riorganizimin e parashikuar nga neni 129 i ligjit, kurrsesi nuk mund të zhbëhet me një udhëzim ministror.
Vendosja e auditimit nën varësinë e rektorit krijon një konflikt të hapur interesi. Kjo bie ndesh edhe me parimin e pavarësisë funksionale të auditimit të brendshëm, të garantuar nga Ligji nr. 114/2015 për auditimin e brendshëm në sektorin publik.
Edhe më shqetësues është fakti se Bordet e Administrimit në universitetet publike kanë shumicën e anëtarëve të propozuar nga Ministria e Arsimit pikërisht për të garantuar mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin e fondeve publike. Duke i hequr Bordit instrumentin e auditimit dhe duke ia kaluar atë rektorit, Ministria po dobëson mekanizmin kryesor të kontrollit mbi institucionet që financohen kryesisht nga buxheti i shtetit.
Ky është një përqendrim i pajustifikuar kompetencash, një dobësim i kontrollit të brendshëm financiar dhe një precedent i rrezikshëm për autonominë e universiteteve dhe transparencën në administrimin e parave publike.
Autonomia universitare nuk mbrohet duke dobësuar kontrollin financiar dhe as duke përzier kompetencat akademike me ato administrative. Përkundrazi, shteti ka detyrimin të garantojë që fondet publike të administrohen me transparencë, kontroll të pavarur dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Gazeta RD