Tabaku thekson se vendimi nuk përfaqëson një politikë të mirëfilltë për zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por krijon një regjim privilegjesh fiskale për një numër të kufizuar përfituesish, ku përfituesi kryesor duket se është kompania KAYO.
“Për 13 vite, qeveria e la mbrojtjen kombëtare jashtë prioriteteve të saj. Investimet në mbrojtje mbetën nën angazhimet e Aleancës dhe Shqipëria ende nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.
Deputetja demokrate thekson se qeveria nuk po ndërton një politikë kombëtare për sigurinë, por po përdor politikën fiskale për të përcaktuar fitues të paracaktuar.
“Në Shqipërinë e Edi Ramës, politika fiskale nuk përdoret për të nxitur ekonominë. Përdoret për të zgjedhur fituesit”, shprehet ajo.
Tabaku e krahason këtë skemë me modelin e ndjekur më parë për investitorët strategjikë, të cilët kanë përfituar prona publike, lehtësi fiskale dhe ligje të posaçme. Sipas saj, ndryshon vetëm sektori, ndërsa mënyra e qeverisjes dhe shpërndarjes së privilegjeve mbetet e njëjtë.
Ajo nënvizon se Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes, të mbështetur në investime, teknologji dhe partneritet me NATO-n dhe vendet aleate. Por, sipas Tabakut, një politikë serioze duhet të nisë me përmbushjen e angazhimeve financiare ndaj Aleancës.
“Nuk mund të flasësh për industri strategjike, ndërkohë që nuk financon siç duhet vetë mbrojtjen kombëtare. Buxheti i vitit 2026 nuk përmbush angazhimin bazë ndaj NATO-s për financimin e mbrojtjes”, thekson deputetja.
Tabaku sjell në vëmendje edhe qëndrimin e qeverisë ndaj propozimeve të opozitës për uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Ajo kujton se, megjithëse një masë e tillë lejohet nga Direktiva e Bashkimit Europian dhe zbatohet nga vende të rajonit, qeveria ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka hapësirë fiskale.
“Kur bëhet fjalë për përjashtime fiskale të projektuara për një numër shumë të kufizuar përfituesish, hapësira fiskale gjendet menjëherë”, shkruan Tabaku.
Ndërsa favorizohen kompani të caktuara, sektorë të rëndësishëm të ekonomisë po përballen me vështirësi të mëdha. Fasoneria po falimenton, bujqësia mbetet pa mbështetje, industria përpunuese humbet konkurrueshmërinë dhe biznesi i vogël përballet me rritjen e vazhdueshme të kostove.
“Për ta nuk ka paketa të posaçme, nuk ka lehtësi fiskale dhe nuk ka VKM të shkruara me urgjencë”, deklaron ajo.
Tabaku kërkon që qeveria të paraqesë një strategji të plotë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, të shoqëruar me analizë të ndikimit ekonomik dhe fiskal, rregulla të qarta, transparencë dhe kontroll parlamentar.
“Industria e mbrojtjes është një interes kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk mund të ndërtohet mbi të njëjtin model klientelist që prodhoi investitorët strategjikë, PPP-të dhe ligjet me adresë”, përfundon Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, Shqipëria ka nevojë për një industri mbrojtjeje që i shërben sigurisë dhe interesave të vendit, jo interesave të një grupi të kufizuar njerëzish pranë pushtetit.
Gazeta RD