Sezoni Veror Rama-Vuçiç 3.0

Nga Ilda ZHULALI

Kemi hyrë në sezonin 3 të skenarëve Rama-Vuçiç, kur dy autokratët e Ballkanit po digjen nga zjarret që hapin vetë, ngado e me këdo. Në lëvizjet e të dyve asgjë s’është kaotike. Është plotësisht e kalkuluar.

1.Vuçiç hap zjarrin me Paunoviçin me deklaratën e saj për “spastrim etnik” që prodhoi një skandal ndërkombëtar mediatik. Vuçiç e quan “të pakujdesshme” nga Kievi, ku ndodhej në një aktivitet ndërkombëtar. Edi Rama hesht, gjysëm lakuriq nga plazhi i Dhërmiut. Të dy testuan ujërat e durimit europiano-amerikan, në këtë verë të nxehtë zjarresh.

  1. Konsullata në Shkodër ishte lëvizja “e butë”. Pas një takimi që zhvilluan bashkë, Ferit Hoxha i tha publikut shqiptar se protestoi ndaj spastrueses Paunoviç, ndërsa homologu Gjuriç i zbuloi publikut serb se në frymën e mirëbesimit e reciprocitetit u vendos hapja e konsullatës në Shkodër, (anipse 61.687 shqiptarë në Luginë të Preshevës kundrejt 54 serbëve në Shkodër ulërasin asimetri). Vuçiç vërtetoi edhe një herë se mund të lëvizë gurë strategjikë në Shqipëri, falë Tiranës “teorikisht” në qendrim protestues por politikisht e praktikisht në kushte vasaliteti të vjellshëm.
  2. Zelensky i dha Vuçiçit legjitimitet ndërkombëtar bash në kohën kur i duhej. Zelensky u shpreh mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, pa e kritikuar Vuçiçin për marrëdhëniet me Rusinë. Zelenski shkoi përtej, duke i dhuruar dhe sigurimet për mosnjohje të Kosovës, bashkë me gënjeshtrën absurde se kjo buronte nga e drejta ndërkombëtare, pavarësisht vendimit diametralisht të kundërt të GJND që legjitimon pavarësinë e Kosovës nga 2010. Për një Vuçiç nën presion të shtuar europian dhe amerikan, kjo ishte mundësi e artë. Presidenti i një vendi në luftë me Rusinë, duke u mirëkuptuar plotësisht me Presidentin e një vendi proksi të Rusisë. E nga ana tjetër, për një Ramë globalist, u duk se kishte folur specialisti i midhjes dhe i peshkut, e jo Presidenti i një vendi që kupton shumë mirë rrezikun rus, por asfare atë serb, (që është vetëm më i tkurrur në përmasë ballkanike e pa armë bërthamore).

4.Ibri erdhi si “përparim” i menjëhershëm, një ditë pas Zelenskyt në Serbi. Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së Ibrit “për shkak të qëndrimit të Prishtinës ndaj serbëve”. Ministri i Jashtëm shqiptar, dhe homologu i tij serb, perfshihen në një shkëmbim guerril statusesh, a thua se nuk qenë të njejtët që u mbushnin mendjen njerëzisë për miqësinë e bashkëpunimin premtues Shqipëri-Serbi, vetëm pak ditë më herët. Pas një heshtjeje profesionale, tani vetë Rama futet më në fund në lojë e përgjigjet me batuta për Ibrin, sepse heshtja totale do ta digjte krejtësisht përpara publikut shqiptar, në kohën kur ai vetë po digjet nga protesta që s’i ndalet prej muajsh, korrupsionit që i ka shpërthyer si qelb ngado, dhe nga një reformë territoriale që i ka ndezur zjarr kundër vetë bastioneve të partisë së tij.

Në fund ky nuk është asgjë tjetër veç një teatri të sinkronizuar ku Vuçiç provokon aq sa i duhet për bazën e vet nacionaliste para zgjedhjeve, dhe Rama përgjigjet aq sa i duhet për të mos u akuzuar si argat i Beogradit. Sidoqoftë asnjëri s’lëviz asnjë centimetër nga marrëdhënia strukturore që i lidh që prej “shkëmbimit të kufijve” të verës 2018, dhe “Ballkanit të Hapur” të verës 2022. Dallimi i vetëm është që sot kanë vetëm njëri-tjetrin duke luajtur me shkrepse nga shtëpitë e veta plot benzinë, siç ndodh rëndom kur autokratëve u duhet të mbijetojnë politikisht.

About Redaksia

Check Also

Dy fjalë për drejtësinë e munguar… apo drejtësinë me regji

Nga Elona CASLLI Fati i Shqipërisë është në duart e SPAK-ut. Çdo formë proteste, qoftë …