Digjen rrethinat e Tiranës/ Zjarret i afrohen Surrelit

Një situatë tepër kritike po zhvillohet në periferi të kryeqytetit. Zjarri masiv që po digjet në masivin e malit të Dajtit prej më shumë se 10 ditësh ka marrë përmasa frikësuese këtë të mërkurë. Vatra që nisi ditë më parë në zonën e Priskës po përparon me shpejtësi dhe flakët tashmë i janë afruar zonës së Surrelit. Për përballimin e situatës komplekse, shtabi i emergjencave ka mobiluar burime të konsiderueshme njerëzore dhe logjistike: Në drejtim të Surrelit: Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë angazhuar 22 forca nga Shërbimi Zjarrfikës dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura (ADZM), të cilat po mbështeten nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore për shuarjen e flakëve nga ajri. Në Priskë të Madhe: Po operojnë 15 efektivë të mbështetur nga 4 automjete zjarrfikëse, si dhe ndihmë paralele nga 2 helikopterë. Zyrtarisht, autoritetet raportojnë se pavarësisht përmasave të vatrës, për momentin nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara. Megjithatë, në territor vërehet një prani e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit. Kjo prani ushtarake e policore lidhet edhe me faktin se në zonën e Surrelit ndodhet rezidenca e kreut të qeverisë. Operacioni për izolimin e plotë të vatrës vazhdon me intensitet të lartë ndërsa forcat po garojnë me kohën dhe kushtet e vështira terrenit.

About Krye Redaktor

Check Also

Do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike/ Kush e përgjoi Linda Ramën?

Sali BERISHA Narkoshteti po shkërmoqet! Po degradon! Pollet e fundit të bëra nga PS kanë …