Protestuesja-Ramës: Ky popull ka forcën të të rrëzojë nga ajo karrige! 

Meritokracia dhe mundësitë për punësim për të rinjtë kanë qenë në qendër të fjalës së një protestueseje gjatë protestës së 74-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ajo tha se gjatë këtyre ditëve ka takuar studentë të ekselencës, të cilët, sipas saj, pavarësisht rezultateve të larta, mbeten pa punë.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Rama, protestuesja akuzoi qeverinë për favorizim politik dhe punësime mbi bazën e lidhjeve me pushtetin. Ajo u shpreh se brezi i ri nuk pranon të nënshtrohet ndaj partisë në pushtet dhe e mbylli fjalën me një paralajmërim të fortë: “Karrigen e shtetit, të cilën ju e kthyet në karrigen e pushtetit, ka forcën ta rrëzojë.”

Protestuesja: Të nderuar qytetarë, në daljen time të radhës do të doja të merresha me një problematikë shumë thelbësore, tashmë të njohur në këtë sistem politik. Ajo çfarë dua të flas sot lidhet rreptësisht me çarjen e meritokracisë në Shqipëri. Në këto 74 ditë protestë, kam takuar me dhjetëra e dhjetëra studentë të ekselencës, të cilët sot janë të papunë.

Në këto 74 ditë, kam diskutuar dhe më kanë treguar problematika nga më të ndryshmet. Por doja konkretisht të merresha me çështjen e meritokracisë. Kjo meritokraci sot në Shqipëri nuk ekziston më. Dhe fatkeqësisht e vetmja gjë që triumfon në këtë gjë është historia, historia politike e këtij vendi. Po të vini re, prej kohësh është treguar nga vetë Kryeministri i Shqipërisë, në rastet më historike të këtij vendi, si ai për shembull i stadiumit Arena e Kombit, në të cilin inaugurimin e këtij stadiumi ruajti me patjetër të afronte djalin e Kryeministrit të Shqipërisë.

Por kjo ka vijuar edhe më tej, edhe në ngjarjen më historike të Shqipërisë, si ajo e ardhjes së Papës Françesku. Për të prekur të moshuarit dhe të dashurit në Shqipëri, u ruajt me patjetër që radhën ta zinte djali i Kryeministrit të Shqipërisë. Ne e kemi shumë të qartë, zoti Kryeministër, që në këtë Shqipërinë tonë të vogël, sistemi i meritokracisë është goditur në mënyrë spektakolare. Është goditur ashtu si edhe ai i sistemit të drejtësisë.

Ne e kemi shumë të qartë, zoti Kryeministër, që për ata studentë të ekselencës, në këtë vend nuk ka vend për punë. Dhe e vetmja arsye që nuk ka vend për punë në administratën shtetërore, është sepse në të gjitha këto poste janë të punësuar, krah të gjithë fëmijëve të prokurorëve të Shqipërisë. Ne e kemi shumë të qartë, zoti Kryeministër, që për rininë shqiptare nuk ka vend për punë, sepse për të patur sot një vend pune në Shqipëri, ne duhet të paguajmë kuotat tuaja, ne duhet t’ju japim votën dhe akoma më tepër të bëhemi pjesë e partisë suaj në pushtet.

Por ne, zoti Kryeministër, kjo gjeneratë, këta studentë, nuk janë as Taulant Balla, as artist Pipo, as shokët e tij, këta janë gjenerata Z, e cila kurrsesi nuk do t’i nënshtrohej, nuk do të bëhej e nënshtrueshme e partisë, ashtu sikurse janë deputetët e tu. Këta anëtarë të shëmtuar të Parlamentit të Shqipërisë që unë sapo përmenda, ndoshta edhe më gjerë, nuk na përfaqësojnë!

Prandaj zoti Kryeministër, sot nga ky shesh, dua t’ju kujtoj se i gjithë ky popull i bukur këtu, dhe ai që po na ndjek, është ai popull që ju dha votën për t’ju ngritur në atë karrige të shtetit, të cilën ju e kthyet në karrigen e pushtetit. Ka forcën të rrëzojë atë karrige!

About Redaksia

Check Also

Ofendimi i Ramës ndaj një mjeku dhe njeriu të dijes/ Ja kushtoi jetën shërbimit

Klodi STRALLA “Deputetët nuk duhet të bëjnë Arqile Botin!” Kështu u shpreh sot Naltgjatësia i …