E moshuara: Kam qenë socialiste, të vrisja për Edi Ramën, por ai filloi të na djegë dhe shtëpinë

Banorët e Memaliajt dhe zonave rurale kanë protestuar sërish kundër reformës territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Memaliaj dhe bashkimin me Tepelenën.

Një prej banoreve u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar, duke theksuar se protesta nuk ka ngjyrime partiake.

“Ne nuk do lejojmë që ky qytet të bjerë në duart e të tjerëve. Të vrasim frikën, sepse nëse vrasim frikën kemi fitore”, u shpreh ajo.

Banorja kritikoi edhe Këshillin Bashkiak për mungesën e mbështetjes ndaj qytetarëve, ndërsa tha se emigrantët janë rikthyer për t’iu bashkuar protestës.

Duke folur për qëndrimin e saj ndaj qeverisë, ajo deklaroi: “Kam qenë socialiste, të vrisja për Edi Ramën, por në fund filloi të na djegë dhe shtëpinë”.

Në fund, ajo paralajmëroi vijimin e protestave dhe u shpreh e vendosur: “Ne do të ngelem bashki më vete. Deri në fund do luftojmë!”.

E moshuara: Në këtë shesh, nuk kemi dallime partiake. Mbi partinë është Shqipëria, dhe mbi Shqipërinë ne sot kemi bashkinë. Ne jemi vëllezër dhe motra dhe jemi lindur dhe rritur në këtë qytet. Kemi ndarë hallet, gëzimet bashkë, problemet që kemi pasur me njëri-tjetrin, i kemi të paktën nga 70 vjet. Kështu që nuk do lejojmë që ky qytet të bjerë në duart e të tjerëve. Që ne të kthehemi në skllevër. Se ata do ikin, se nuk do rrijnë dot atje, të vijnë nga zyrat e Tepelenës, pasdite do marrin një rrugë tjetër dhe do venë ta gjejnë veten e tyre.

Prandaj të gjithë bashkë, të gjithë bashkë, bashkimi bën fuqi! Të gjithë bashkë duhet të rezistojmë, të vrasim frikën, se po vramë frikën kemi fitore. Në qoftë se ne do themi ‘nuk dal unë se kam këtë në punë, ma bëjnë kështu, ma bëjnë ashtu’, do ngelemi skllevër! Vëllezër dhe motra të nderuar, sa ngrihemi në mëngjes i themi mirëmëngjes njëri-tjetrit, gëzohemi kur na vijnë emigrantët. Është mbushur qyteti sot, gumëzhin!

Emigrantët, vëllezërit dhe motrat tona, që kanë nga 30 vjet që kanë ikur, që sinqerisht më vjen për të qarë sa shumë ishim dhe sa pak ngelëm. Por ata sot kanë ardhur, na janë bashkuar ne, dhe ata bashkohen deri në fund. Mesazhe nga të gjitha anët po na vijnë: ‘Vazhdoni, jemi me ju!’. Një vërejtje kam për Këshillin Bashkiak të qytetit, turp, 100 herë turp! Ata dhe kur bëjnë ato votimet atje, votojnë për shtëpitë e tyre, i kanë bërë nëpër fshatra, ua ka bërë fondi i zhvillimit. Votojnë për pagat e tyre, ndërsa për ju nuk votojnë, jo! Nuk votojnë për naftën që të punojnë mjetet, nuk votojnë për rrugët që të bëhen. Atëherë për çfarë na duhen këta njerëz? Kush janë këta? Kush i ka zgjedhur? Nga kanë ardhur? Këta i kemi zgjedhur ne! Dhe ata rrogën 250 mijë lekë në muaj për një mbledhje që vijnë dhe që nuk vijnë, se banojnë të gjithë në Tiranë, nuk firmosin për ne, nuk na përfillin.

Kush jemi ne? Ne jemi njerëz të thjeshtë që duam qytetin tonë, që duam bashkinë tonë, që syqeshur të arrijmë ta shohim këtë qytet të bukur. Syqeshur që arrijmë pastaj nesër të trokasim në një derë dhe t’i themi kështu ose ashtu kryetarit të bashkisë dhe problemet tona të na zgjidhen. Unë kam qenë socialist, të vrisja për Edi Ramën. Të thoshe një fjalë për Edi Ramën, të vrisja unë, ‘Edi Rama do bëjë Shqipërinë’ thosha unë me qarje kur flisnin kështu.

Por Edi Rama në fund filloi të na djegi dhe shtëpinë. Prandaj ju bëj thirrje, të dashur vëllezër dhe motra, të bashkohemi! Data 14 dhe 15 janë tre ditë feste, tre ditë feste që do gëzohemi me njëri-tjetrin. Tre ditë feste, por dhe tre ditë proteste! Ta marrin vesh ata atje në Tiranë, ta marri vesh kryeministri që e selektoi, nuk i pëlqente Berti jonë, se e gjithë çështja është tek Berti. Se ne jemi 19 mijë banorë, Tepelena është 10 mijë, do t’i bashkojë ai Tepelenën këtu. Ndryshe nuk ka. Ne do ngelemi bashki më vete. Deri në fund do luftojmë! Do luftojmë deri në fund! Ju faleminderit që më dëgjuat.

About Redaksia

Check Also

Thirrje nga protesta: Të vijnë më shumë intelektualë! Të mos ia zgjasim ditët diktatorit!

Me tone të forta dhe kritike, një qytetar pjesëmarrës në protestën e 75-të para Kryeministrisë …