Lumi Ibër i kthyer si armë kundër shqiptarëve prej vëllait serb të liderit global

Nga Ndriçim KULLA

Presidenti serb nuk e paraqiti idenë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në një tryezë teknike për administrimin e ujërave, as si një projekt inxhinierik të shkëputur nga politika, por në një klimë të tensionuar me Kosovën dhe në një gjuhë që e lidhte drejtpërdrejt me sjelljen e shqiptarëve dhe me atë që Beogradi e konsideron si politikë të Prishtinës ndaj serbëve të Kosovës. Sipas raportimeve të fundit, Vuçiç ka deklaruar se Serbia po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e Ibrit dhe ka përmendur edhe angazhimin e ekspertëve e inxhinierëve.

Këtu fillon një problem i vërtetë. Sepse Ibri nuk është thjesht një vijë blu mbi hartë, nuk është vetëm një lumë që rrjedh nga veriu drejt jugut dhe nuk është një çështje që mund të trajtohet me të njëjtin fjalor me të cilin trajtohet një rrugë, një urë apo një objekt administrativ. Në një hapësirë ku uji, energjia, bujqësia dhe jeta e qyteteve janë të lidhura me sistemin ujor të Ibrit, ndërhyrja e qëllimshme në rrjedhën e tij mund të prodhojë pasoja që shkojnë shumë më larg se vetë akti teknik. Dhe kur një ndërhyrje e tillë artikulohet në kontekstin e një konflikti kombëtar dhe territorial, ajo fiton një domethënie politike që nuk mund të fshihet pas fjalës “projekt”.

Kjo është arsyeja pse deklarata e Vuçiçit nuk duhet lexuar vetëm në dritën e fjalëve të përdorura, por edhe në dritën e asaj që mund të prodhonte një veprim i tillë nëse do të realizohej. Nëse një shtet kërcënon të përdorë kontrollin mbi një burim natyror jetik për t’i imponuar një popullsie tjetër një sjellje politike, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një mosmarrëveshje territoriale. Kemi të bëjmë me një mekanizëm presioni mbi kushtet e jetesës deri në kufirin e gjenocidit.

Lumi i Ibrit është një nga arteriet ujore të rëndësishme të Kosovës dhe sistemi i lidhur me të ka rëndësi për furnizimin me ujë dhe energji. Prandaj, një ndërhyrje e qëllimshme në rrjedhën e tij nuk mund të reduktohet në pyetjen nëse Serbia teknikisht mund ta bëjë apo jo. Pyetja e vërtetë është çfarë ndodh kur një shtet e përdor kontrollin mbi një burim natyror si instrument presioni ndaj një popullsie që jeton përtej kufirit të tij?

Kjo pyetje është më e madhe se Vuçiçi. Ajo lidhet me një nga problemet më të mëdha të shekullit XXI: përdorimin e burimeve natyrore si armë politike. Bota moderne e ka kuptuar prej kohësh se nafta mund të përdoret si instrument presioni, gazi mund të përdoret si instrument presioni, ushqimi mund të përdoret si instrument presioni dhe infrastruktura energjetike mund të përdoret si instrument presioni. Por uji ka një karakter tjetër, sepse nuk është thjesht mall ekonomik. Është kusht themelor i jetës.

Nëse një ndërhyrje do të kishte si qëllim t’i mohonte një popullsie civile kushtet minimale të jetesës, atëherë nuk do të mund të fshihej më pas formulimit të një “projekti hidroteknik”.

Këtu shfaqet një kontradiktë shumë e madhe e politikës së Beogradit. Serbia pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë politika serbe e trajton popullsinë shqiptare të Kosovës si një palë të jashtme ndaj së cilës mund të ushtrohet presion. Por nëse Kosova është, sipas pretendimit të Beogradit, pjesë e territorit të Serbisë, atëherë si mund të justifikohet ndëshkimi i popullsisë së saj për shkak të vendimeve politike të institucioneve të Kosovës? Dhe nëse nuk është pjesë e administrimit real të Serbisë, atëherë çdo ndërhyrje mbi një burim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e popullsisë së Kosovës bëhet një çështje e pastër e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në vitin 1999, problemi i Kosovës u bë një nga krizat më të mëdha të sigurisë në Europë pas Luftës së Ftohtë dhe ndërhyrja ndërkombëtare erdhi pas një periudhe në të cilën represioni, dhuna dhe dëbimet kishin marrë përmasa të mëdha. Pas gjithë kësaj historie, Europa nuk mund të sillet sikur Kosova është një faqe bosh ku gjithçka fillon nga deklarata e radhës së një politikani.

Dhe ka një përgjegjësi ndërkombëtare për të mos lejuar që konfliktet e pazgjidhura të kthehen gradualisht në forma të reja presioni.

Një nga karakteristikat e politikës së Vuçiçit është se deklaratat e tij shpesh lëvizin në kufirin ndërmjet kërcënimit dhe mohimit të kërcënimit. Thuhet diçka e fortë, pastaj lihet hapësira për ta interpretuar ndryshe. Kur kundërshtari reagon, thuhet se ka keqkuptuar. Kur ndërkombëtarët shqetësohen, thuhet se bëhet fjalë për një çështje teknike. Kur publiku kërkon sqarim, mund të thuhet se nuk ka pasur kërcënim. Por fjala ka bërë tashmë punën e saj.

Kjo është strategjia moderne e paqartësisë së kontrolluar e vëllait serb të Ramës, Vuçiç: një kërcënim i qartë mund të dënohet qartë, ndërsa një deklaratë e paqartë krijon frikë dhe njëkohësisht i jep autorit mundësinë të tërhiqet. Në këtë kuptim, çdo deklaratë që lidh ndryshimin e rrjedhës së Ibrit me sjelljen e shqiptarëve duhet parë edhe si një sinjal politik.

Dhe sinjalet në Ballkan kanë pasur historikisht pasoja.

Prandaj problemi nuk është vetëm nëse Serbia ka sot kapacitetin teknik për ta ndryshuar rrjedhën e Ibrit në mënyrën që sugjerohet. Problemi është pse një president shteti e vendos një mundësi të tillë në tryezën politike dhe pse e lidh atë me sjelljen e një popullsie tjetër. Kjo është pyetja që duhet të bëjë Europa tani.

Çështja e Ibrit mund të jetë shumë më e rëndësishme sesa vetë lumi. Ajo mund të jetë një provë, një provë për të parë se deri ku mund të shkojë politika e presionit mbi Kosovën. Sepse historia e konflikteve territoriale na mëson se pas një kërkese për ndryshim kufijsh mund të vijë kërkesa për autonomi, pastaj kërkesa për territore, pastaj kontrolli mbi infrastrukturën, pastaj kontrolli mbi burimet dhe, në fund, krijimi i një sistemi varësie ku një popullsi e tërë kupton se jeta e saj mund të ndikohet nga vendimet e një shteti tjetër.

Kjo është arsyeja pse ideja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit nuk duhet të trajtohet si një episod ekzotik i politikës serbe. Është pjesë e një historie më të gjerë mbi kontrollin. Dhe kontrolli i burimeve është një nga format më të rëndësishme të pushtetit në shekullin tonë.

Ibri ka qenë gjithmonë më shumë se një lumë. Ai ka kaluar përmes një territori ku historia ka vendosur kufij, ku kufijtë kanë ndryshuar histori dhe ku historia ka prodhuar konflikte të reja. Por një lumë nuk duhet të bëhet instrument i hakmarrjes. Nuk duhet të bëhet armë. Nuk duhet të bëhet mënyrë për t’i treguar një populli se jeta e tij varet nga vullneti i një shteti tjetër.

Sepse nëse politika arrin deri aty sa të thotë: “Nëse nuk bëni atë që kërkojmë, do t’ju presim fytin”, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një mosmarrëveshje territoriale.

Kemi të bëjmë me një filozofi terrori.

Prandaj deklarata e Vuçiçit duhet të merret seriozisht jo sepse duhet të shpallet menjëherë “gjenocid”, por sepse një shtet europian i shekullit XXI nuk mund ta vendosë në tryezën politike idenë e përdorimit të një burimi jetik si mjet hakmarrjeje ndaj një popullsie dhe të presë që bota ta trajtojë këtë si një çështje teknike.

Nuk është vetëm çështja se ku do të rrjedhë Ibri.

Është çështja se ku po shkon politika që dëshiron ta ndryshojë rrjedhën e tij.

Dhe Europa nuk duhet të presë që lumi të thahet për të kuptuar se çfarë kishte filluar të ndodhte.

Dhe pikërisht aty, në atë çast kur uji nuk shihet më si pasuri e natyrës, por si mjet ndëshkimi ndaj një popullsie, duhet të ndizet alarmi i historisë, i politikës dhe i së drejtës ndërkombëtare, shumë përpara se bota të detyrohet të kërkojë një emër për një tragjedi që mund të ishte parandaluar.

About Redaksia

Check Also

E Vërteta e Hidhur e “Shëndetësisë Falas”

Nga Bardh SPAHIA ​Lajmi që koncesioni i Check-Up-it kthehet në shtet pas 12 vitesh është …